

Rikthehet emocionet e UEFA Champions League me nisjen e fazës “play-off”, ku tetë çifte do të përballen për të siguruar një vend në raundin e 1/8-ave. Ndërkohë, tetë skuadrat e renditura në krye të fazës së ligës kanë siguruar kalimin direkt dhe presin kundërshtarët e tyre.
Skuadrat e renditura nga vendi i 9-të deri në të 24-tin do të luajnë në sistem vajtje-ardhje, me ndeshjet e para që zhvillohen këtë të martë dhe të mërkurë, në dy fasha oraresh.
Sfida e së martës
Në orën 18:45, Juventus luan një transfertë delikate në Turqi përballë Galatasaray. Bardhezinjtë vijnë pas një disfate në kampionat dhe synojnë një rezultat pozitiv në Stamboll, përballë një kundërshtari që në shtëpi është treguar gjithmonë i fortë.
Nga ora 21:00 zhvillohen tre përballje të tjera të zjarrta. Real Madrid përballet sërish me Benfica, skuadër që e mposhti 4-2 në fazën e ligës. Madrilenët kërkojnë revanshin, ndërsa fakti që ndeshjen e kthimit do ta luajnë në shtëpi u jep një avantazh psikologjik.
Në Francë, kampionët në fuqi të Paris Saint-Germain matin forcat me AS Monaco në një duel tërësisht francez, ku diferencat pritet të jenë minimale dhe gjithçka do të vendoset në fushë.
Ndërkohë, në “Signal Iduna Park”, Borussia Dortmund pret Atalanta. Dy skuadra me filozofi sulmuese dhe në formë të mirë, duke premtuar spektakël dhe ritëm të lartë.
Programi i së mërkurës
Ndeshjet e së mërkurës nisin në 18:45, ku Qarabağ FK përballet me anglezët e Newcastle United.
Në orën 21:00 luhen tre takime të tjera: Bodø/Glimt pret Inter, Club Brugge përballet me Atlético Madrid, ndërsa Olympiacos sfidon Bayer Leverkusen.
Tetë sfida, tetë histori të ndryshme dhe 16 skuadra që synojnë një hap më tej drejt finales së madhe. Faza “play-off” premton emocione, tension dhe surpriza, në garën më prestigjioze për klube në Evropë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






