Transmetuar më 16-02-2026, 23:15

TIRANË, 16 shkurt 2026– Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, deklaroi se në administratën publike po ushtrohet presion politik ndaj nëpunësve, ndërsa, sipas tij, patronazhistët po përdoren për të firmosur vendime të dyshimta.

I ftuar në emisionin “Off the Record”, Malaj u shpreh se “nivelet e larta politike ushtrojnë presion te punonjësit duke i hequr bukën e gojës, dhe pastaj marrin patronazhistë që firmosin gjithçka”.

Akuza për kapje të shtetit

Malaj foli për një fenomen që e cilësoi si “korrupsion horizontal” dhe “kapje të shtetit”, duke pretenduar se ekziston ndërthurje mes politikës, biznesit dhe elementëve kriminalë.

Ai iu referua edhe raportit të fundit të Transparency International, i cili, sipas tij, evidenton përkeqësim të perceptimit për korrupsionin.

“Edhe ata që thonë se duhet pak korrupsion që të ecë ekonomia, gabojnë. Nëpunësit nuk firmosin sepse ajo që u kërkohet është antiligjore,” u shpreh Malaj.

Thirrje për reforma

Sipas tij, një nëpunës publik është i detyruar të zbatojë një urdhër vetëm kur ai jepet me shkrim, ndërsa paralelisht duhet ta raportojë tek autoritetet përkatëse.

Malaj theksoi se korrupsioni dhe kapja e shtetit janë fenomene që dëmtojnë rëndë jetën shoqërore dhe ekonomike të vendit, duke bërë thirrje për ndryshime kushtetuese që, sipas tij, do të garantonin barazi para ligjit dhe do të shmangnin krijimin e “ishujve me mbrojtje specifike”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit