

HOLANDË, 16 shkurt 2026- Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në kuadër të një operacioni antidrogë të zhvilluar nga autoritetet holandeze, ku u sekuestruan rreth 500 kilogramë kokainë dhe një armë zjarri.
Sipas mediave holandeze, përfshirë De Telegraaf, ndërhyrja policore u krye më 29 janar në një depo në Harderwijk, ku dy të dyshuarit po nxirrnin drogën e fshehur në një pajisje industriale.
Operacioni është pjesë e një hetimi më të gjerë mbi rrjetet e trafikut të kokainës që përdorin kompani në dukje të ligjshme si fasadë për kontrabandën e drogës.
Si funksiononte skema?
Sipas autoriteteve, pas kompanive të transportit dhe importit të frutave fshihej një rrjet i ndërlikuar firmash fiktive. Trafikantët hapnin biznese të regjistruara ligjërisht dhe përdornin depo jashtë zonës portuale për të nxjerrë lëndën narkotike nga mallrat e importuara.
Shefi në largim i policisë së portit të Roterdamit, Jan Janse, cituar nga media holandeze, deklaroi se hetimi u fokusua edhe në regjistrat e Dhomës së Tregtisë për të identifikuar kompanitë e dyshimta.
Porti i Roterdamit nën presion
Autoritetet theksojnë se siguria në Porti i Roterdamit është forcuar ndjeshëm vitet e fundit, duke e bërë më të vështirë nxjerrjen e drogës direkt nga kontejnerët brenda zonës portuale. Si pasojë, rrjetet kriminale po rikthehen te metoda më të vjetra, duke përdorur kompani fasadë dhe depo jashtë portit.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë muajit të parë të vitit 2026 janë sekuestruar rreth 8 mijë kilogramë kokainë në portin e Roterdamit. Për krahasim, gjatë gjithë vitit 2024 u kapën 11.466 kilogramë.
Autoritetet holandeze kërkojnë rritje të kontrollit mbi regjistrimin e kompanive dhe bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve për të parandaluar përdorimin e bizneseve si mbulim për aktivitete kriminale.
Hetimet për rastin në fjalë vijojnë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






