Transmetuar më 16-02-2026, 19:06

Pas 12 vitesh e rrëmbyer nga i ati dhe e mbetur e vetme në kampin famëkeq Al Hol në Siri, Eva Dumani është rikthyer në Shqipëri pranë nënës dhe vëllait të saj. Riatdhesimi i saj u bë i mundur falë përpjekjeve të vazhdueshme të familjarëve.

Eva u nxor fillimisht ilegalisht nga territori sirian drejt Turqisë me ndihmën e dajës së saj, Xhetan Ndërgjoni, ndërsa më pas u realizua kthimi i saj në Shqipëri përmes një operacioni të strukturuar sigurie.

Në një lidhje për emisionin “Në Kohë Reale”, daja i Evës dhe eksperti i sigurisë nga Kosova, Bedri Elezi, ndanë detaje nga operacioni i vështirë i riatdhesimit.

Elezi u shpreh se operacioni ishte i mbushur me sfida të jashtëzakonshme, duke theksuar se Eva kishte bashkëpunuar në çdo hap dhe kishte zbatuar të gjitha rekomandimet deri në momentin e arritjes në Turqi.

“Pas shumë mundimesh unë isha ndër ato njerëz me fat që të jem në krye të operacionit për riatdhesimin e Evës e cila mund të themi se tani konsiderohet e qetë dhe e sigurtë. Një femër që do flasë vet historia bazuar në dy çështje, e para se ishte një femër që asnjëherë nuk u sfidua nga përpjekja e saj për të marrë në konsideratë angazhimet e dajës së saj për riatdhesimin e saj dhe e dyta se si ajo bashkëpunoi me ne dhe zbatimin e të gjitha rekomandimeve që i kemi dhënë deri në momentin e arritjes në Turqi”, u shpreh eksperti.

Ndërkohë, daja i saj, Xhetan Ndërgjoni, tregoi emocionet e ribashkimit pas më shumë se një dekade përpjekjesh të pandërprera. Ai rrëfeu se nuk kishte kaluar asnjë ditë pa menduar dhe pa lotuar për mbesën e tij.

“Ndjehem shimë mirë dhe jam i emocionuar. Një falënderim të veçantë për Bderiun i cili nuk mu nda asnjë moment për 12 vite përpjekje për ta kthyer Evën. Ka qenë Bedriu negociatori i të gjitha gjërave derisa arritëm qëllimin deri sa Eva erdhi. Shpresa më e madhe ka qenë kur Evës ju mbush mendja për tu kthyer sepse unë shpresat nuk i kam ndarë asnjëherë.

Kishte më shumë se 2 vjet që ma kërkonte dhe më thoshte: ”kur do më nxirrni nga ky ferr? Më merr. Dua siguri”. Dhe ka qenë një dilemë e madhe sa vendosa për të shkuar vet atje por ishte e pamundur e shkuara në Siri. Me ndihmën e disa miqve arritëm që ta fusnim Evën brenda Turqisë.

12 vite nuk ka pas ditë që nuk kam lotuar për Evën. Nuk kam reshtur së kërkuara në të gjitha format. Më thoshte gjithmonë: ”vetëm ty dajë dhe numrin tënd nuk e harroj asnjëherë”. Në momentin e parë u shtanga unë dhe u shtang dhe Eva, ajo ishte mbi qafën time, më shtrëngonte me duar dhe thoshte: daja, daja. Amanetin e kisha vet i pari që ta kthej një ditë të motra dhe me ndihmën e shumë njerëzve u përmbush dhe s’jam lodhur kurrë”, u shpreh Ndergjoni.

Sipas ekspertit Elezi, largimi i Evës nga kampi u realizua në kushte tepër të rrezikshme. Ajo dhe disa shoqe të saj ecën për rreth katër orë në shkretëtirë, duke kërkuar ndihmë në një fshat pranë kufirit me Turqinë. Më pas, me ndihmën e komunitetit shqiptar në zonë dhe koordinimin e autoriteteve, u bë e mundur kalimi i saj në territorin turk dhe më tej kthimi në Shqipëri.

“E kemi të dy njëherësh me Gjetanin dhe mund të them që Gjetani u hodh drejtë Evës dhe ishte një përqafim që nuk do të përfundonte kurrë, një moment gëzimi, lot dhe të gjitha bashkë. Problemi më i vështirë ishte vet Eva sepse ajo donte siguri absolute sepse jetën dhe vdekjen e saj e ndatë një fije floku, ishte një rrezik shumë i madh. Ka qenë një bashkëpunëtore e jashtëzakonshme sepse ajo ishte në një zonë që e kishte shumë të vështirë për të lëvizur dhe për të shkuar deri tek makina nga ku do të lëvizte në drejtim të kufirit dhe më pas për të kaluar kufirin, ishin sfida të jashtëzakonshme. Kampi ishte jashtë kontrollit dhe shumë gra dhe fëmijë ishin larguar, Eva bashkë me disa shoqe të saj ishin nisur në shkretëtirë dhe diku 4 orë dhe kishin arritur të ndalonin në një fshat dhe atje kanë kërkuar ndihmën e banorëve dhe më pas kanë ardhur në një qytet i cili është afër kufirit me Turqinë ku ka komunitet shqiptar që jetojnë atje derisa ne të realizojmë me sukses sjelljen e saj deri në territorin e Turqisë”, tha Elezi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit