

Takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe homologut Edi Rama ka përfunduar. Diskutimi mes dy liderve ka qenë i larmishëm, por është fokusuar te thellimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
"Marrëdhëniet ndërshtetërore, marrëveshjet ndërqeveritare, projektet infrastrukturore me interes të përbashkët dhe mundësitë e reja në këtë mandat të dy qeverive, ishin ndër temat kryesore të diskutimit", thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Rama uroi kryeministrin Kurti për fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe për formimin e Qeverisë. Ndërkohë që kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij dhe vullnetin e Qeverisë që drejton për forcimin dhe zgjerimin e marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në shërbim të qytetarëve dhe mbarë kombit.
"Bashkëpunimi dhe marrëveshjet e deritanishme ndërshtetërore në pesë vitet e fundit kanë përfshirë njësimin e teksteve shkollore, projektet kulturore mbarëkombëtare, projektet infrastrukturore, si hekurudha Prishtinë-Durrës, lehtësimin e lëvizjes në zonat kufitare, njohjen e diplomave, pastaj bashkëpunimi në energji, siguri, sport, transport, turizëm dhe zhvillim ekonomik", vijon njoftimi i Zyrës së Kryeministrit.
Pas takimit ka reaguar dhe kryeministri Albin Kurti me një postim në Facebook, ku shkruan:
"Mirëprita Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për marrëveshjet bilaterale që kemi dhe fushat se ku mund t’i shtojmë ato, për mundësitë e reja dhe si t’i shfrytëzojmë sa më mirë, si dhe për sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për t’i tejkaluar ato sa më lehtë.
Me mandatet tona të ripërtërira, përmes bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërshtetëror, le t’u shërbejmë edhe më tej e më shumë qytetarëve në të dy republikat dhe kombit tonë mbarë"
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






