

Kreu i Grupit Parlamentar të Partia Demokratike e Shqipërisë, Gazment Bardhi, ka reaguar pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama në mbledhjen me deputetët socialistë.
Në deklaratën e tij, Bardhi u shpreh se ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale nuk lidhen me mbrojtjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, por sipas tij, kanë si qëllim mbrojtjen e vetë kreut të qeverisë.
“E besoj kur thotë se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale nuk kanë lidhje me Belinda Ballukun. Sepse ai sot ndryshon ligjin për t’i vendosur Kryeministrit një mburojë plus nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Edi Rama po propozon që Kryeministri të mos pezullohet nga detyra, nëse drejtësia gjykon se ai, për shembull, po prish provat e një hetimi,” deklaroi Bardhi.
Ai shtoi se refuzimi i dorëheqjes së Ballukut, sipas tij, nuk është çështje lojaliteti, por precedenti. “Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale në mes të një hetimi penal aktiv për Zëvendëskryeministren nuk bëhet vetëm për sot. Bëhet për ditën kur drejtësia mund të trokasë më lart se numri dy i qeverisë,” theksoi ai.
Në reagimin e tij, Bardhi përmendi edhe çështje të tjera që, sipas tij, janë në hetim, përfshirë atë të njohur si “McGonigal” dhe çështjen e incineratorëve.
Deklaratat e tij vijnë në një moment debati politik mbi ndryshimet e propozuara në legjislacionin penal dhe rolin e institucioneve të drejtësisë në vend.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






