

Këngëtarja Sheila ka komentuar fitoren e Alisit në edicionin e 64-të të Festivali i Këngës, duke u shprehur se, ndonëse e vlerëson si artist, nuk mendon se kënga e tij ishte e denjë për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2026.
Gjatë një interviste në emisionin “Uëtëfë Show” në Andale Media, Sheila foli për eksperiencën e saj në festival, por edhe për rezultatin final. Ajo theksoi se nuk ka asgjë personale me fituesin, por që sipas saj, kënga nuk ishte mjaftueshëm konkurruese për skenën evropiane.
“Unë Alisit i uroj shumë suksese, e di që ai është një artist shumë i mirë, por nuk mendoj se ishte kënga e denjë për Eurovision. Sepse është një baladë si çdo baladë që ka kënduar kushdo në festival, për më tepër është një këngë që u citua për një këngë të ngjashme,” u shpreh ajo.
Alis u shpall fitues me këngën “Nan” dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026. Pas fitores, në disa portale u ngritën pretendime se kënga kishte ngjashmëri me “Like A Prayer” të Madonna, akuza të cilat ai i mohoi publikisht.
Megjithatë, deklaratat e tij nuk e bindën Sheilën. Moderator i emisionit, Fatos Sulo, i kujtoi asaj se edhe për këngën e saj kishte pasur komente për ngjashmëri, por artistja sqaroi dallimin mes koncepteve.
“Këtu ka një diferencë që njerëzit nuk e kanë kuptuar… Kënga quhet interpolim, që do të thotë është si të marrësh një trashëgimi kulturore, ta përpunosh dhe ta sjellësh në variantin tënd. Remake dhe remix janë komplet tjetër gjë,” tha ajo.
Në këngën “Zemra e Tokës”, Sheila ka përfshirë vargun “qaj Maro” nga kënga tradicionale “Qaj Maro, qaj moj bijë”, duke theksuar se nuk ka përdorur vijë melodike dhe duke mohuar çdo pretendim për plagjiaturë.
Sheila u rendit në vendin e tretë në festival me “Zemra e Tokës”. Pas përfundimit të garës, u bë e ditur se ajo do të marrë pjesë në përzgjedhjen e San Marino Song Contest, me synimin për të synuar skenën e madhe të Eurovision-it, kësaj here përmes San Marinos.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






