Transmetuar më 16-02-2026, 13:38

PRISHTINË, 16 shkurt 2026 – Gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë deklarata të forta lidhur me gjykimet ndërkombëtare për udhëheqësit e UÇK-së dhe rolin e aktorëve ndërkombëtarë gjatë luftës në Kosovë.

Rama vlerësoi se Perëndimi ka kaluar testin e humanizmit kur ka njohur pavarësinë e Kosovës, por kritikoi forcat që sipas tij tentojnë të barazojnë “dhunën etnike të një makinerie lufte fashiste” me luftën çlirimtare të popullit kosovar. Ai u shpreh se nëse aktorët e udhëhequr nga Perëndimi përjashtojnë drejtësinë, duhet të ndiqen penalisht edhe liderë ndërkombëtarë që mbështetën fushatat ushtarake në ish-Jugosllavi.

“Duhet të vijojnë arrestimet. Duhet të arrestohen Bill Clinton, Javier Solana, Tony Blair dhe kryeministra të tjerë të vendeve që dhanë dritën jeshile për bombardimet. Millosheviçi, bashkë me zviceranin, mos gjetshin prehje atje ku janë. Ajo që po ndodh është shumë e rëndë”, tha Rama, duke bërë të qartë indignimin e tij për atë që ai e konsideron padrejtësi ndaj komandantëve të UÇK-së dhe Kosovës.

Deklarata e Ramës u bë gjatë promovimit të librit “Kur heshtja flet” nga Ahmet Shala, dhe në prani të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni që nënvizoi sakrificat dhe luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit