

Gjykata pezullon nga detyra drejtorin në AMP, nën hetim për “Shpërdorim detyre” pas punësimit të paligjshëm të Muçi Shaljanit
Gjykata e Tiranës ka vendosur pezullimin nga detyra të drejtorit në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Gëzim Sala, si dhe masën e sigurisë “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës. Ai po hetohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga vetë AMP, lidhur me punësimin në kundërshtim me ligjin të shtetasit Muçi Shaljani, i cili mbeti i vrarë në atentatin e ndodhur në rrethrrotullimin e Rinasit, ku humbi jetën edhe Gilmando Dani. Ngjarja mbetet pa autor, ndërsa dosja është transferuar në SPAK, pasi ka dyshime për përfshirje të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas Prokurorisë, Muçi Shaljani ishte punësuar për afro dy muaj si ndihmëspecialist në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në AMP. Hetimet kanë nxjerrë se dokumenti i identifikimit i gjetur pranë tij rezulton i falsifikuar, pasi nuk ishte lëshuar nga AMP.
Nga aktet procedurale rezulton se Shaljani ka paraqitur kërkesën për punësim më 9 shtator 2025, ndërsa pranimi i tij është bërë më 15 shtator 2025, përmes një urdhri me motivacion “për nevoja emergjente”. Prokuroria thekson se kjo procedurë është në kundërshtim të hapur me ligjin nr.128/2021 “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe me VKM nr.532, datë 29.07.2022, që përcaktojnë qartë fazat e rekrutimit, përfshirë shpalljen e vendeve vakante, konkurrimin, testimin, verifikimin e dokumentacionit dhe periudhën e provës.
Sipas organit të akuzës, asnjë nga këto faza nuk është zbatuar. Marrëdhëniet financiare me Shaljanin janë lidhur më 16 shtator 2025, vetëm pak ditë pas paraqitjes së kërkesës për punësim. Ai është paguar me rrogë të rregullt nga data 16 shtator deri më 11 nëntor 2025, ditën e ngjarjes në Rinas, pa u paraqitur asnjëherë në punë dhe pa kryer detyrë konkrete.
Prokuroria vlerëson se me veprimet dhe mosveprimet e tij, drejtori Gëzim Sala ka konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, duke anashkaluar detyrimet ligjore dhe procedurat e detyrueshme të rekrutimit.
Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e punësimit dhe përgjegjësitë përkatëse.
Njoftimi i Prokurorisë
Prokuroria Tiranë kërkon pezullimin e drejtorit të AMP-së, shtetasit G.S., nën hetim për ‘Shpërdorim detyre’ pasi lejoi punësimin në shkelje të ligjeve të të ndjerit M.Sh.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u vendos caktimi i masës së sigurisë ‘Ndalim i daljes jashtë shtetit’ dhe ‘Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ për shtetasin G.S., Drejtor në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Tiranë, nën hetim për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Hetimet nisën pas kallëzimit të kryer nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, mbi punësimin në kundërshtim me ligjin pranë kësaj agjencie të shtetasit M.Sh., i cili humbi jetën në rrethrrotullimin e Rinasit, i qëlluar me armë zjarri së bashku me shtetasin G.D.
Nga hetimet rezultoi se shtetasi M.Sh., ishte punësuar prej afro 2 muajsh, si punonjës i AMP-së në funksion ndihmëspecialist në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale. Prokuroria provoi se dokumenti i gjendur këtij shtetasi ishte i falsifikuar pasi nuk rezultonte që AMP ta ketë pajisur me dokument. Ky shtetas kërkoi të punësohej në AMP më 09.09.2025 dhe pranimi i tij më 15.09.2025, nëpërmjet një urdhri, rezulton haptazi në kundërshtim me ligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.532, datë 29.07.2022 “Per Miratimin e Rregullores Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”.
Në këto akte ligjore dhe nënligjore përcaktohet qartë se rekrutimi i punonjësve të AMP-së bëhet nëpërmjet konkurimit, shpalljes së vendeve vakante, krijimit të komisioneve përkatëse, testimit, verifikimit përfundimtar për kualifikimin/skualifikimin e aplikantëve deri në përpilimin e kontratës, urdhrin e emërimit në detyrë dhe periudhën e provës.
Drejtori i Drejtorisë Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, shtetasi G.S., shprehet se procedura e ndjekur për rekrutimin e shtetasit M.Sh., nuk është ligjore dhe se ai në këtë proces ka nënshkruar miratimin vetëm për anën formale të akteve dhe jo në përmbajtje. Ndërkohë që ky shtetas ka kërkuar që ky urdhër të bëhej shpejt me motivacionin ‘pranohet me kontratë të përkohshme dhe për nevoja emergjente”.
Ky shtetas me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka konsumuar elemente të veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal. Ai ka anashkaluar ligjin organik Nr.128/2021 “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe Rregulloren “Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore” e miratuar me VKM Nr.532, datë 29.07.2022, ku janë përcaktuar qartë fazat e vlerësimit të kandidaturës M. Sh., nga testimet, verifikimet përfundimtare, vlerësimi i dokumentacionit të dorëzuar nga aplikanti (asnjë prej këtyre fazave nuk është aplikuar) deri në nënshkrimin e Urdhërit të punësimit, i cili në përmbajtje të tij ka motivimin “për nevoja emergjente”.
Shtetasi M.Sh. u punësua me një procedurë të paligjshme, në një kohë shumë të shkurtër (nga data 09.09.2025 kur eshte paraqitur zyrtarisht kërkesa deri më datë 16.09.2025, që i janë lidhur marëdhëniet financiare, në total 4 ditë pune, që tregon se nuk është aplikuar asnjë prej detyrimeve ligjore të shprehura në ligjin dhe rregulloren e AMP-së. U pagua me rrogë të rregullt nga data 16.09.2025 deri ne date 11.11.2025 (data e ngjarjes në rrerotullimin e Rinasit), pa u paraqitur asnjëherë në punë, apo zhvilluar ndonjë detyrë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






