

TIRANË, 16 shkurt 2026 – Tre shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar nga Danimarka, Franca dhe Italia në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”. Ky operacion ka për qëllim lokalizimin dhe dorëzimin para drejtësisë të personave të dënuar apo të akuzuar për vepra të ndryshme penale, duke përfshirë pastrim parash, trafik droge dhe mashtrim.
Shtetasit e ekstraduar janë:
Daniele Matoshi (alias Daniele Çela / Oklid Cela), 38 vjeç, nga Elbasani, i dënuar për trafik droge dhe pastrim parash, si dhe për falsifikim dokumentesh dhe vjedhje të energjisë elektrike, me dënim të mëparshëm nga Gjykata e Kristiansandit në Norvegji.
Christopher Rudoviç, 25 vjeç, i lindur në SHBA, i dënuar nga Gjykata e Tiranës për prodhim, mbajtje dhe shitje pa leje të armëve të ftohta.
Gazmir Mjelli (alias Gazmir Hamzaj), 39 vjeç, nga Berati, i akuzuar për mashtrim, pasi kishte marrë para nga një qytetar me premtimin për ta ndihmuar të shkojë në Itali në mënyrë të paligjshme.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të 3 shtetasve që kanë qenë në kërkim ndërkombëtar.
-U ekstradua nga Danimarka, shtetasi D. M. alias D. Ç. alias O. C., 28 vjeç, i lindur në Elbasan.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Elbasanit, me vendimin e datës 18.07.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Shtetasi D. M. ka qenë i dënuar nga Gjykata e Kristiansand, Norvegji, me 13 vjet burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, si pjesë e një organizate kriminale, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Mbi bazën e materialeve të dërguara nga autoritetet norvegjeze dhe nga hetimet e kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan kanë rezultuar pasuri (prona) të pajustifikuara në emër të tij dhe të familjarëve së tij.
-U ekstradua nga Franca, shtetasi Ch. R., 25 vjeç, i lindur në SHBA.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Tiranës, me vendimin e datës 05.11.2024, e ka dënuar me 8 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Në muajin qershor 2024, në aeroportin e Rinasit, gjatë kontrollit me skaner, në valixhet e këtij shtetasi janë gjetur 2 armë të ftohta (thika metalike).
-U ekstradua nga Italia, shtetasi G. M. alias G. H., 39 vjeç, i lindur në Berat.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Fierit, me vendimin e datës 13.07.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Mashtrimi”.
Ky shtetas akuzohet se i ka marrë një shumë parash, shtetasit Gj. K., duke e mashtruar se do ta ndihmonte për të shkuar në Itali, në mënyrë të paligjshme.
Vijon bashkëpunimi me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






