

Policia e Shtetit ka finalizuar faza të tjera të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, për kthimin në Shqipëri të shtetasve të shpallur në kërkim.
Nga Danimarka është ekstraduar shtetasi Daniel Matoshi, i njohur edhe me emrat Daniel Çela dhe Oklid Çela, 38 vjeç, i lindur në Elbasan. Ai ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Elbasanit, me vendim të datës 18.07.2025, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Sipas autoriteteve, ndaj tij ka pasur edhe një vendim të mëparshëm nga një gjykatë në Norvegji, me dënim 13 vite heqje lirie për përfshirje në veprimtari të paligjshme në kuadër të një grupi të strukturuar, si dhe për falsifikim dokumentesh dhe përfitim të paligjshëm të energjisë elektrike. Nga hetimet e zhvilluara kanë rezultuar pasuri të pajustifikuara në emër të tij dhe familjarëve.
Më herët, në tetor 2022, të akuzuarit Daniel (Oklid) Çela, banues në Elbasan, i është sekuestruar pasuri me vlerë rreth 400 mijë euro. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Fasada 2”, janë sekuestruar një apartament, një biznes (lokal) dhe garazhi përkatës në lagjen “Visarjon Xhuvani” në Elbasan, si dhe një ndërtesë dykatëshe në Peqin.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin e aseteve të tjera që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari të kundërligjshme dhe që mund të jenë regjistruar në emër të personave të tjerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






