Transmetuar më 16-02-2026, 10:46

TIRANË, 16 shkurt 2026 – Kreu i opozitës, Sali Berisha, denoncoi atë që e cilësoi si “skandal”, duke deklaruar se prokurori Altin Troplini ka firmosur 16 kërkesa drejtuar institucioneve të ndryshme për ta hetuar atë dhe familjarët e tij, përfshirë – sipas tij – edhe mbesat “katër vite para lindjes së tyre”.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se kishte lënë një mesazh në ambientet e SPAK, ndërsa akuzoi drejtuesin e institucionit, Altin Dumani, si “armik primitiv të pluralizmit politik” dhe “mercenar të Edi Ramës”.

“16 kërkesa brenda një dite”

Sipas Berishës, dokumentet e firmosura nga Troplini janë dërguar në 16 institucione të ndryshme dhe kanë pasur si objekt hetimi një periudhë 30-vjeçare.

“Këtu keni një listë kërkesash të firmosura nga Altin Troplini për 16 institucione, për të hetuar Sali Berishën dhe mbesat e tij, edhe katër vite para lindjes së tyre. Të dërguara pa asnjë lidhje me dosjen, vetëm në kërkim të zbatimit të urdhrit të Edi Ramës”, u shpreh ai.

Berisha shtoi se, sipas tij, veprimet e ndërmarra “nuk kanë lidhje me dosjen”, të cilën e cilësoi si “një piramidë”, ndërsa theksoi se “drejtësia vonon, por nuk harron”.

Deklaratat e tij vijnë në një klimë të tensionuar politike, mes akuzave të ndërsjella mes opozitës dhe mazhorancës lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë dhe pavarësinë e tyre.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit