Transmetuar më 16-02-2026, 09:40

TIRANË, 16 shkurt 2026 – Kryeministri Edi Rama reagoi lidhur me debatin për ndryshimet e propozuara në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, duke theksuar se vendimmarrja e ekzekutivit dhe e shumicës parlamentare është sovrane dhe nuk mund të vihet në diskutim nga pushteti gjyqësor.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se vendime të tilla nuk duhet të bazohen në arsye politike, por në parime kushtetuese, ndërsa shtoi se çështje të ngjashme hasen jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende më të zhvilluara.

Sipas tij, figurat e larta kushtetuese nuk duhet të jenë “vulnerabël” ndaj vendimeve që, siç u shpreh ai, mund të cenojnë funksionimin normal të institucioneve. “Ne këtë nuk mund ta lejojmë. Kjo nuk ka lidhje me cenimin e të drejtave që jep pushteti, por me garantimin e tyre”, deklaroi Kryeministri.

Rama theksoi se Kushtetuta parashikon ndarjen e tre pushteteve dhe se secili prej tyre është i pavarur në ushtrimin e kompetencave të veta. “Pse vetëm pushteti gjyqësor është i pavarur dhe të tjerët janë të varur? Jo. Janë tre pushtete. Ne jemi të pavarur për të marrë vendime. Vendimet tona janë sovrane dhe nuk ka prokurorë apo gjykatës që t’i vënë në dyshim”, u shpreh ai.

Deklaratat e Kreut të Qeverisë vijnë në një moment kur mazhoranca ka propozuar zgjerimin e kategorive të funksionarëve të lartë që nuk mund të pezullohen nga detyra me vendim gjykate, një nismë që pritet të shoqërohet me debat të gjerë politik dhe institucional.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit