Transmetuar më 16-02-2026, 09:04

TIRANË, 16 shkurt 2026 – Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot në orën 09:00 grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku pritet të prezantojë një nismë ligjore që synon ndryshime në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale.

Partia Socialiste pranoi zyrtarisht në një komunikatë se Kryetari i Partisë njëherësh, Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar te Partisë Socialiste nga Kryesia e Kuvendit, prezanton nismën ligjore për forcimin e kufirit të pakalueshëm që ndan gjyqësorin nga dy pushtetet e tjera kushtetuese dhe ndalon përfundimisht pezullimin e funksioneve kushtetuese

Projektligji parashikon kufizimin e kompetencës së gjykatave për pezullimin nga detyra të ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë kushtetues, gjatë fazës së hetimit apo procesit gjyqësor.

Firmëtarët dhe procedura parlamentare

Nisma mban firmën e Kryeministrit Edi Rama, të kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla dhe të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Pas diskutimit në mbledhjen e grupit parlamentar, drafti me propozimet për ndryshimin e nenit 242 pritet të depozitohet zyrtarisht në Kuvend për ndjekjen e procedurave ligjore.

Çfarë parashikojnë ndryshimet?

Aktualisht, neni në fjalë nuk lejon pezullimin nga detyra të deputetëve dhe kryebashkiakëve. Me ndryshimet e propozuara, lista e funksionarëve që nuk mund të pezullohen nga gjykata do të zgjerohet.

Sipas draftit paraprak, përveç deputetëve dhe kryebashkiakëve, në këtë kategori do të përfshihen edhe:

Presidenti i Republikës

Kryeministri

Ministrat

Avokati i Popullit

Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë

Nisma pritet të ngjallë debat politik dhe juridik, duke qenë se prek drejtpërdrejt balancën mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv. Diskutimet në komisionet parlamentare dhe në seancë plenare pritet të përcaktojnë edhe fatin e këtij propozimi ligjor.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit