Transmetuar më 15-02-2026, 23:20

Një vit më parë, Kuvendi miratoi ligjin për bashkëpronësinë, që synon menaxhimin e ambienteve të përbashkëta në pallate nga një administrator i zgjedhur nga vetë banorët. Megjithatë, deri tani nuk kanë dalë ende aktet nënligjore, të cilat janë të nevojshme për zbatimin praktik të ligjit.

Ervin Demo, ministër i pushtetit lokal, deklaroi se së shpejti do të publikohet formula e detyrimeve për çdo familje:

“Janë ngritur grupet e punës dhe brenda muajit mars dalin aktet nënligjore, gjithsej 7 të tilla. Njëkohësisht po hartohet edhe formula që do të zbatohet mbi detyrimet që do të kenë familjet për zbatimin praktik të ligjit.”

Ligji ka si qëllim të përcaktojë pronarin e ambienteve të përbashkëta, si tarracat, oborret apo ashensorët, për të cilat sot askush nuk mban përgjegjësi.

Sipas Demo:

“Çdo marrëdhënie bashkëpronësie do të jetë sipas një kontrate ‘tip’, ku rregullat e bashkëpronësisë do të jenë njësoj në çdo bashki. Administratori do të ketë rolin kryesor të këtij ligji. Formula që po hartojmë do të përcaktojë edhe detyrimin minimal që do të duhet të paguajë çdo familje.”

Aktualisht, në shumë pallate të reja, menaxhimi i ambienteve të përbashkëta funksionon mbi baza vullnetare, me një tarifë minimale rreth 1000 lekë në muaj për familje.

Megjithatë, shuma e saktë që do të paguhet për administratorin do të përcaktohet vetëm pas publikimit të aktit nënligjor dhe hartimit të regjistrit të ambienteve të përbashkëta që duhet të menaxhohen.

Në praktikë, kjo do të thotë se çdo familje do të paguajë një tarifë të rregulluar qoftë për mirëmbajtje, pastrim apo shërbime të tjera, sipas kontratës së bashkëpronësisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit