Transmetuar më 15-02-2026, 21:46

Një koloni e madhe flamingosh ka mbushur zonën e Zvërnec, duke krijuar një panoramë mbresëlënëse në Laguna e Nartës, një nga zonat më të rëndësishme të mbrojtura bregdetare në vend.

Pamjet e këtij spektakli natyror janë ndarë në rrjetet sociale nga kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar momente nga prania e shpendëve në lagunë, të shoqëruara me përshkrimin: “Sot në Zvërnec”.

Shqipëria konsiderohet një habitat i favorshëm për shumë specie shpendësh që jetojnë, ushqehen apo folezojnë në zonat e mbrojtura. Flamingoja është një prej specieve që vitet e fundit ka zgjeruar praninë në vend, duke nisur të folezojë në Lagunën e Nartës dhe tashmë edhe në zonën e Zvërnecit.

Në habitatet ujore të mbrojtura, flamingot jetojnë në koloni të mëdha, që mund të përfshijnë nga dhjetëra deri në mijëra individë. Kjo specie njihet për jetëgjatësinë mesatare deri në 30 vjet dhe për shtegtimet e gjata sezonale, gjatë të cilave përshkojnë qindra kilometra në formacione të organizuara.

Zvërneci mbetet një nga destinacionet natyrore më të vizituara në jug të vendit, duke tërhequr turistë gjatë gjithë vitit. Krahas bukurive natyrore, interes të veçantë paraqet edhe Manastiri i Shën Mërisë, një monument i shekullit X pas Krishtit, i ndërtuar në stil bizantin dhe i aksesueshëm përmes një ure karakteristike prej druri që lidh ishullin me tokën.

Prania e flamingove shton më tej vlerën ekologjike dhe turistike të kësaj zone të mbrojtur.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit