Transmetuar më 15-02-2026, 20:32

Në një lëvizje të papërgjegjshme, nxitëse konflikti dhe në kundërshtim me të gjitha normat dhe angazhimet ndërkombëtare, qeveria e Izraelit i ka dhënë të drejtë vetes të shtetëzojë territoret palestineze që pushtoi në 1967.

Autoritetet e Tel Avivit njoftuan të dielën se Qeveria e Izraelit ka miratuar një propozim për regjistrimin e sipërfaqeve të mëdha të tokës në Bregu Perëndimor si “pronë shtetërore”, për herë të parë që nga nisja e pushtimit izraelit të territorit palestinez në vitin 1967.

Transmetuesi shtetëror izraelit Kan raportoi të dielën se propozimi u paraqit nga Ministri i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, Ministri i Drejtësisë Yariv Levin dhe Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.

“Ne po vazhdojmë revolucionin e kolonizimit për të marrë nën kontroll të gjitha tokat tona”, deklaroi Smotrich.

Al Jazeera, në një raport të publikuar sot vëren se shumica e tokave palestineze nuk janë të regjistruara zyrtarisht, pasi procedura është e gjatë dhe komplekse dhe Izraeli e ka ndërprerë këtë proces që prej vitit 1967. Regjistrimi i tokës nënkupton vendosjen e pronësisë së përhershme.

Sipas të drejtës ndërkombëtare, një fuqi pushtuese nuk ka të drejtë të konfiskojë apo të kolonizojë tokë në territore të pushtuara. Pavarësisht kësaj, autoritetet izraelite e paraqesin vendimin si masë administrative dhe sigurie.

Presidenca palestineze e dënoi vendimin, duke e cilësuar atë si “një përshkallëzim serioz”, ndërsa theksoi se kjo lëvizje anulon në praktikë marrëveshjet e nënshkruara dhe bie ndesh me rezolutat e Këshilli i Sigurimit i OKB-së, sipas agjencisë palestineze të lajmeve Wafa.

Analistët vlerësojnë se Izraeli po avancon drejt një aneksimi de facto të Bregut Perëndimor, duke ndryshuar rrënjësisht realitetin politik dhe ligjor në terren.

Reagimi i Hamasit

Edhe Hamasi dënoi vendimin e qeverisë izraelite, duke e cilësuar atë “të pavlefshëm dhe të papranueshëm”, të marrë nga një “fuqi pushtuese e paligjshme”. Organizata theksoi se vendimi shkel të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat përkatëse të OKB-së.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi në vitin 2024 se veprimet e Izraelit përbëjnë aneksim të Bregut Perëndimor.

Duke folur nga Ramallah në Bregun Perëndimor, analisti politik Xavier Abu Eid i tha Al Jazeera-s se po ndodh ajo që në të vërtetë synon Izraeli, të zgjerojë territoret e tij dhe të shtypë sa më shumë popullin palestinez.

"Njerëzit duhet ta kuptojnë se ky nuk është thjesht një hap drejt aneksimit. Ne po e jetojmë aneksimin pikërisht tani. Ajo që po bën qeveria izraelite është zbatimi i një programi politik që tashmë është shpallur”, theksoi ai.

Në këtë mënyrë, Izraeli është duke përdorur ngjarjen e rëndë të sulmit të Hamasit ndaj një grupi të madh qytetarësh izraelitë në një koncert, duke bërë shfarosje në masë të palestinezëve, mbi 80 mijë të vrarë, dhe tani, duke aneksuar territoret palestineze.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit