

Partizani Tirana ka siguruar një fitore të rëndësishme në derbin e kryeqytetit, duke triumfuar 2-0 ndaj KF Tirana në kuadër të javës së 24-t të Kategoria Superiore.
Të kuqtë morën kontrollin e lojës që në minutat e para, duke krijuar disa raste të rrezikshme. Në minutën e 12-të, Iskandarli gjeti rrugën e rrjetës, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Pjesa e parë u vendos nga dy episode kyçe. Në minutën e 27-të, Sidibe shënoi pas një asisti të Hjuman, ndërsa dhjetë minuta më vonë Iskandarli dyfishoi shifrat pas një pasimi të Sidibe, duke mbyllur 45-minutëshin e parë me epërsinë e pastër të Partizanit.
Në fraksionin e dytë, Tirana tentoi të reagojë, por pa konkretizuar rastet e krijuara. Kobjilar dhe Mehmeti patën mundësi të mira shënimi, ndërsa një goditje u ndal nga traversa.
Me këtë sukses, Partizani ngjitet në kuotën e 33 pikëve në vendin e pestë, vetëm tre pikë larg FC Dinamo City që mban vendin e katërt. Nga ana tjetër, Tirana mbetet në vendin e tetë me 21 pikë, duke vijuar betejën për mbijetesë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






