Transmetuar më 15-02-2026, 14:06

Aktorja Anila Bisha ka folur për padinë e ngritur ndaj qeverisë për përdorimin e imazhit të saj në krijimin e personazhit virtual “Diella”.

Anila Bisha i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë me kërkesën për vendosjen e një mase të përkohshme sigurie, me qëllim pezullimin e përdorimit të të dhënave të saj personale në funksion të krijimit të avatarit “Diella”, prezantuar vjeshtën e kaluar si ministre virtuale për Prokurimet Publike.

Në një intervistë për seksionin ndërkombëtar të Deutsche Welle, aktorja tha se ndihet e cenuar në imazh dhe reputacion. Sipas saj, përdorimi i figurës së një personi publik pa miratim përbën rrezik, si në planin profesional ashtu edhe në atë personal.

“Ishte diçka shumë e rëndë sa i përket imazhit tim. Gjërat filluan të përdoreshin ndryshe. Kjo është një kauzë shumë e rëndësishme, pasi mund t’i ndodhë çdo kolegu apo edhe një personi të panjohur. Është shumë e rrezikshme. Jam person publik dhe kam ndërtuar një emër të mirë. Një pjesë e atyre që nuk mbështesin kryeministrin, pa pasur asnjë lidhje me mua, mund të më drejtojnë urrejtjen e tyre” u shpreh ajo.

Në padinë e depozituar, Bisha argumenton se përdorimi i avatarit në rolin e “ministres virtuale për Inteligjencën Artificiale” është realizuar pa pëlqimin e saj dhe në kundërshtim me marrëveshjen kontraktuale.

Padia është ngritur ndaj Këshillit të Ministrave, kompanisë Apel dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Nga ana tjetër, përmes drejtoreshës së Agjencisë për Median dhe Informimin, Manjola Hasa, qeveria ka deklaruar se respekton të drejtën e çdo qytetari për t’iu drejtuar drejtësisë, por i konsideron pretendimet e ngritura si të pabazuara.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit