

Angli/ Katër shqiptarë dënohen me mbi 11 vjet burg për kultivim dhe shpërndarje kanabisi

Asterjo Sata (sipër majtas), Reols Havalja (sipër djathtas), Sefedin Tafa (poshtë majtas) dhe Servet Dobrushi (poshtë djathtas). Foto: Policia e Essex-it
Katër shtetas shqiptarë, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në prodhimin dhe shpërndarjen në shkallë të gjerë të kanabisit në Angli, janë dënuar me më shumë se 11 vjet burg në total. Sipas autoriteteve në Essex, grupi kishte përfituar mbi 500 mijë paund gjatë periudhës 2023–2025.
Sipas hetimeve të Policisë së Essex-it, grupi drejtohej nga vëllezërit Sefedin dhe Eldi Tafa, të cilët organizonin plantacionet e kanabisit dhe siguronin ambientet dhe materialet e nevojshme për kultivimin. Servet Dobrushi dyshohet se merrej me organizimin e shitjes së lëndës narkotike të prodhuar.
Ndërkohë, Asterjo Sata dhe Reols Havalja kishin rolin e mbikëqyrjes së kultivimeve dhe shpërndarjes së kanabisit, si dhe të administrimit të fitimeve në zona të ndryshme të vendit.
Zbulimi i aktivitetit
Operacioni i grupit u zbulua pas një hetimi që çoi në gjetjen e një plantacioni kanabisi në Aragon Close, Southend, më 30 gusht 2023. Në ambientet e kontrolluara u gjetën 446 bimë kanabisi, 5 mijë paund cash dhe një portofol me patentë shoferi në emër të Eldi Tafës. Në një ditar të sekuestruar ishin shënuar emrat “Alberti”, “Sefi” dhe “Olsi”, ky i fundit pseudonimi me të cilin njihej Havalja.
Në fillim të vitit 2024, Sefedin Tafa u arrestua në Westcliff. Në automjetin e tij u gjetën 1,400 paund dhe një video që tregonte një ambient të përdorur për kultivim kanabisi. Gjatë kontrollit të një prone tjetër u sekuestruan mbi 27 mijë paund dhe rreth 50 gramë kanabis. Hetimet çuan gjithashtu në zbulimin e 10 kilogramëve kanabis në Caerphilly, Uells.
Në qershor 2024, Asterjo Sata u arrestua gjatë udhëtimit nga Brighton drejt Southend. Në automjetin e tij u gjetën mbi 34 mijë paund, një armë dhe dy telefona celularë. Gjatë kontrollit të banesës së tij u sekuestruan sende luksoze dhe veshje të shtrenjta. Po ashtu, u identifikua një plantacion i sofistikuar kanabisi në Rochford Avenue, Westcliff, me vlerë rreth 35,550 paund.
Dënimet
Pas përfundimit të hetimeve dhe pranimit të akuzave nga të pandehurit, gjykata vendosi dënimet përkatëse:
Sefedin Tafa: 4 vjet e gjysmë burg
Asterjo Sata: 32 muaj burg
Reols Havalja: 23 muaj burg
Servet Dobrushi: 27 muaj burg
Ndërkohë, Eldi Tafa rezulton ende në arrati jashtë Mbretërisë së Bashkuar dhe autoritetet britanike vijojnë përpjekjet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






