

Nga Mentor Kikia
Endri Shabani qenka zgjedhur President i Organizatës së Avokatëve të Popullit të Mesdheut. Ja si e paska vlerësuar Endri këtë: “Kjo e pozicionon zyrën e Avokatit të Popullit të Shqipërisë si një aktor kyç në diplomacinë institucionale, duke i dhënë Tiranës një rol drejtues në hartimin e agjendave rajonale për drejtësinë administrative dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.
Tani, i dashur Endri, ma prano një këshillë, meqë njihemi 15 vjet e më shumë.
Që të bëhesh President i Organizatës së Avokatëve të Popullit të Mesdheut, së pari duhet të jesh avokat i popullit tënd. Para se të vlerësosh “rolin kyç të Shqipërisë në diplomacinë institucionale”, vlerëso rolin që duhet të luash ti në atë institucion që drejton.
Tani për tani, unë mendoj se ti je vetëm një nëpunës i urtë shtetëror, që paguhesh në pozicionin e Avokatit të Popullit të Shqipërisë.
Sepse Avokat të Popullit nuk të bën as pozicioni, as mënyra se si zgjidhesh apo emërohesh. Pra, Avokat i Popullit bëhesh, nuk caktohesh.
Nga dita kur ke hyrë në atë zyrë, ke dalë në televizion vetëm një herë për të treguar momente prekëse nga jeta personale. Nuk kishe asgjë për të thënë për përplasjet e dhunshme në protestat e opozitës. Mund të vizitoje ndonjë komisariat kur arrestoheshin të mitur, apo të vizitoje ndonjë polic të plagosur në spital. Mund të bëje ndonjë deklaratë, qoftë edhe sa për sy e faqe!
Mund të kishe takuar ndonjë banor në Rrjoll, të cilët prej javësh përplasen me policë e rojet e një kompanie private që po ndërton një resort mbi një tokë që është ende në proces gjyqësor për pronësinë. Po ashtu edhe në Lushnjë e tjetërkund, ku ka njerëz që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e tyre. Mund ta kishe ngritur zërin për çfarëdo lloj arsyeje, mjafton të kishe treguar se je emëruar Avokat i Popullit.
Të kisha qenë në vendin tënd, Endri, edhe sikur të më luteshin të bëhesha, jo President i Shoqatës së Avokatëve të Mesdheut, por edhe President i Bordit të Paqes që po themelon Presidenti Trump, do të thosha: Jo, si fillim do të duhet të fitoj dhe meritoj titullin Avokat i Popullit të Shqipërisë.
Ofiqet e tjera presin!
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






