

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestën kombëtare të opozitës, të zhvilluar më 10 shkurt, duke akuzuar Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) për nxitje dhe organizim të dhunës.
Gjatë podcast-it të tij “Flasim”, Rama u shpreh se PD është e vetmja parti parlamentare në Europë që, sipas tij, ka si pjesë të programit shkatërrimin e pronës dhe ushtrimin e dhunës.
Sipas kryeministrit, gjatë protestës janë përdorur mjete të rrezikshme ndaj institucioneve shtetërore dhe forcave të rendit.
“Në Europë ka protestues anarkistë, huliganë, neofashistë, por qysh nga koha e partive famëkeqe në Gjermani e Itali të shumë viteve më parë, ka vetëm një parti parlamentare në Europë që të ketë pjesë të pandarë të programit të saj shkatërrimin e pronës, ushtrimin e dhunës dhe organizimin e trupave paramilitare,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se gjatë protestës janë hedhur mjete shpërthyese artizanale në drejtim të godinave qeveritare, duke pretenduar se disa persona janë paguar për të ushtruar dhunë.
“Rrugeçërit me maska paguhen për të hedhur molotovë. Mercenarët tani kanë kaluar në hedhjen e bombave të mirëfillta artizanale, të përgatitura nga udhëheqja e PD-së, që synojnë plagosjen e sa më shumë policëve,” deklaroi kryeministri.
Rama e cilësoi protestën si një akt që, sipas tij, dëmton imazhin e Shqipërisë në mediat ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, opozita ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme akuzat për organizim të dhunës, duke theksuar se protesta ishte shprehje e pakënaqësisë qytetare ndaj qeverisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






