Transmetuar më 15-02-2026, 05:21

Burri 49-vjeçar shqiptar Klodian Lekocaj, i njohur edhe me emrin Klod Cara, vijon të jetë në qendër të hetimeve të autoriteteve greke për aktivitet të dyshuar kriminal brenda sistemit penitenciar. Së fundmi, ai ka nënshkruar një deklaratë me shkrim ku merr përgjegjësinë për urdhërimin e sulmit ndaj 46-vjeçarit Dhimo Meci, ngjarje e ndodhur më 29 janar 2026 në burgun e Malandrinos.

Meci u plagos me thikë nga një i burgosur grek brenda ambienteve të institucionit. Në deklaratën e tij, Lekocaj shkruan:

“Kërkoj të merrem në pyetje për sulmin ndaj Dhimo Mecit në 29/01/2026 në Malandrino. Unë e dhashë urdhrin për sulmin. Nuk dua të përzihet asnjë që nuk ka faj. Mund ta vërtetoj vetëm nëse për ndonjë arsye nuk mund të më ftoni”.

Ndërkohë, policia greke ka zhvilluar një operacion të gjerë në burgun ku ndodhet Lekocaj, duke zbuluar një rrjet të dyshuar të futjes së lëndëve narkotike në qeli. Si rezultat i operacionit, janë arrestuar Lekocaj dhe tre persona të tjerë të moshave 27, 23 dhe 20 vjeç, ndërsa dosja përfshin edhe një person të katërt.

Sipas hetimit, Klodian Lekocaj dyshohet se vepronte si organizator dhe drejtues i aktivitetit të grupit, duke siguruar furnizuesit, organizuar transportin dhe futjen e lëndëve narkotike në Qendrën e Paraburgimit, si dhe duke menaxhuar fitimet nga shitja e tyre.

I burgosuri 27-vjeçar dyshohet se ishte bashkëpunëtori i drejtpërdrejtë i tij, përgjegjës për gjetjen e klientëve, marrjen, ruajtjen dhe shpërndarjen e lëndëve brenda institucionit.

23-vjeçarja, sipas autoriteteve, kishte rolin e marrjes, ruajtjes së përkohshme, paketimit dhe transportimit të lëndëve në Qendrën e Paraburgimit, si dhe përfitonte një pjesë nga të ardhurat e grupit.

20-vjeçari dyshohet se merrej herë pas here me transportimin e lëndëve drejt burgut.

Gjatë operacionit, 23-vjeçarja u kap me pako të fshehura në trup, që përmbanin kokainë (33 gramë bruto), heroinë (21 gramë bruto), metamfetaminë kristalore (13 gramë bruto), kanabis të përpunuar (11 gramë bruto) dhe kanabis të papërpunuar (66 gramë bruto), me qëllim futjen në institucion.

Po ashtu, autoritetet sekuestruan një pistoletë me ajër, fishekë metalikë për të, 2,150 euro, një automjet dhe tre telefona celularë.

Tre nga të arrestuarit rezultojnë të kenë pasur më parë akuza për vrasje, pjesëmarrje në organizatë kriminale, vjedhje, lëndime trupore, kërcënime dhe shkelje të ligjit për drogën.

Profili i Klodian Lekocajt

Klod Cara alias Klodian Lekocaj është përmendur në media greke si figurë me ndikim në botën e krimit brenda burgjeve, duke u etiketuar si drejtues i ashtuquajturës “Mafia e Burgjeve”. Ai ka deklaruar publikisht se e konsideron veten “të pafajshëm” dhe “të përdorur”.

Sipas autoriteteve greke, nga dëshmitë dhe përgjimet rezulton se ai ka pasur rol në lidhjen e grupeve kriminale dhe në ndërmjetësimin e personave për veprime të dhunshme me pagesë.

Më 14 shtator 2022, policia greke arrestoi në Athinë dy shtetas shqiptarë, Viktor Çala (39 vjeç) dhe Andi Beqiri (23 vjeç), në automjetin e të cilëve u gjetën dy armë automatike dhe një thikë, ndërsa në banesë një pistoletë. Hetimet zbuluan se Çala dyshohej për përfshirje në një vrasje dhe një tentativë vrasjeje në korrik 2022. Sipas deklarimeve të tij, urdhri ishte dhënë nga Lekocaj, për shkak të konflikteve për pazare droge.

Në dosjet e autoriteteve greke, Lekocaj përmendet edhe me nofkat “Luli” dhe “Ilia” dhe është akuzuar për përfshirje në urdhërimin e disa atentateve, përfshirë rastet e avokatit grek Mixalis Zafiropoulos, të të burgosurve Arbër Bako dhe Bardhyl Tusha, si dhe përfshirje në tentativa të tjera të rënda kriminale.

Historia e tij penale daton prej viteve ’90. Ai është arrestuar në 1997 për vjedhje, është arratisur nga burgu i Volos në 2003, ndërsa në vitet pasuese është përfshirë në disa ngjarje të dhunshme, përfshirë plagosje me armë zjarri dhe me thikë. Në vitin 2013 u arrestua për trafik droge dhe vjedhje, ndërsa në 2014 u arratis nga burgu i Korfuzit. Pas disa ditësh, u përfshi në një tentativë grabitjeje dhe më pas në një vrasje në zonën e Metaksurgios. Ai u arrestua në nëntor 2014 në Sepolia, në shoqërinë e Dhimo Mecit.

Në vitet e fundit, ndaj tij janë ngritur akuza për përfshirje në tentativa atentatesh, gjobvënie dhe incidente të dhunshme brenda burgjeve, përfshirë një episod në maj 2025 në burgun e Koridhalos, ku dyshohet se mori peng dy gardianë.

Pak ditë pas atij incidenti, gjatë kontrolleve në qelinë e tij dhe të të dënuarve të tjerë, u gjetën sende të paligjshme si telefona celularë, mjete prerëse dhe lëndë narkotike.

Autoritetet greke vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit të dyshuar dhe rolit që Klodian Lekocaj mund të ketë pasur në ngjarjet e fundit brenda sistemit penitenciar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit