

Një hetim i autoriteteve holandeze për pastrim parash, që nisi nga çështja e një shtetasi shqiptar nga Saranda, ka çuar në gjobitjen me 500 mijë euro të degës holandeze të markës luksoze Louis Vuitton.
Sipas Prokurorisë Publike në Holandë, Louis Vuitton BV është ndëshkuar për shkelje të rregullave të Aktit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit, pasi për një periudhë të gjatë nuk ka verifikuar siç duhet identitetin e klientëve që kryenin blerje të mëdha dhe të përsëritura me para në dorë.
Çështja është mbyllur me urdhër penal për të shmangur procedurat e gjata gjyqësore në Gjykatën e Qarkut të Roterdamit.
Si u zbulua skema

Hetimi lidhet me 55-vjeçarin shqiptar nga Saranda, Thanas Thoma Bako alias Athanasios Sebastian Bako, i dënuar në shtator 2024 nga Gjykata e Roterdamit me 7 vite burg për përfshirje në pastrim parash në shkallë të gjerë. Autoritetet e konsiderojnë atë si drejtues të një rrjeti korrierësh parash që operonte në Holandë dhe që dyshohet se ka qarkulluar qindra milionë euro.
Sipas hetimeve, një grua 36-vjeçare nga Lelystad, e identifikuar me inicialet Bei W., përdori fonde të dyshuara si të paligjshme për të blerë artikuj luksozë në disa dyqane, përfshirë Louis Vuitton. Dyshohet se midis gushtit 2021 dhe shkurtit 2023 ajo ka shpenzuar mbi 2 milionë euro.
Prokurorët theksojnë se ajo përdorte pseudonime të ndryshme dhe kryente pagesa në para pak nën kufirin prej 10 mijë eurosh, që aktivizonte detyrimin për raportim tek Njësia e Inteligjencës Financiare (FIU). Mallrat e blera dërgoheshin më pas në Kinë për rishitje, duke u paraqitur si tregti e ligjshme – praktikë e njohur si “Daigou”.
Hetuesit gjetën prova si mesazhe, fatura dhe pamje nga kamerat e sigurisë, si dhe kuti të përgatitura për dërgesë në banesën e saj.
Dyshime për ndihmë nga brenda
Sipas autoriteteve, një ish-asistente shitjesh e Louis Vuitton dyshohet se e ka ndihmuar 36-vjeçaren duke e informuar për mbërritjen e produkteve të reja dhe duke e këshilluar si të ndante blerjet për të shmangur sinjalizimin ligjor.
Nga 1 janari 2026, ligji holandez ndalon pranimin e pagesave cash mbi 3 mijë euro. Prokuroria thekson se edhe markat e luksit kanë detyrime të njëjta me institucionet financiare për verifikimin e klientëve dhe raportimin e transaksioneve të dyshimta.
Ndërkohë, gjyqi ndaj gruas 36-vjeçare, ish-punonjëses së dyqanit dhe një personi të tretë vijon në Gjykatën e Qarkut të Roterdamit.
Rrjeti i dyshuar i pastrimit të parave
Sipas autoriteteve, rrjeti i drejtuar nga Bako operonte përmes korrierëve që transportonin para nëpër qytete të ndryshme të Holandës, duke përdorur furgonë dhe magazina të pajisura me sisteme sigurie dhe izolim zhurme për numërimin e shumave të mëdha.
Hetimet ndërkombëtare përfshinë bashkëpunim me autoritetet greke dhe amerikane. Bako u arrestua në Athinë me kërkesë të Holandës dhe ndodhet në paraburgim prej më shumë se një viti.
Autoritetet theksojnë se bankierë të tillë nëntokësorë janë element kyç në qarkullimin e parave të paligjshme në nivel ndërkombëtar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






