Transmetuar më 15-02-2026, 00:32

Ata që më 14 shkurt nuk arritën të festonin Shën Valentinin, i njohur si Dita e të Dashuruarve, për shkak se nuk kishin një lidhje, nuk kanë arsye të mërziten. Më 15 shkurt është festa e tyre: Shën Faustini, e njohur ndryshe si Dita e Beqarëve apo e të Vetmuarve.

Pas festës së Shën Valentinit, data 15 shkurt njihet si dita e vetmisë apo e beqarëve dhe është quajtur dita e Shën Faustinit. Kjo ditë nuk është aq e njohur sa 14 shkurti. Disa e konsiderojnë si një festë që ka lindur nga shakatë, por në të vërtetë, ashtu si 14 shkurti i Shën Valentinit, edhe 15 shkurti i Shën Faustinit ka historinë e vet.

Të dyja janë festa, por shkëlqimi i së parës mungon te e dyta. Ndryshe nga Shën Valentini, dita e Shën Faustinit nuk shoqërohet me trëndafila, çokollata apo dhurata të tjera që zakonisht jepen për Ditën e të Dashuruarve.

Si lindën Shën Valentini dhe Shën Faustini

Dita e Shën Valentinit festohet më 14 shkurt dhe është shënuar si dita e të Dashuruarve. Historia e kësaj dite fillon për herë të parë në shekullin e tretë pas erës sonë, në Mbretërinë Romake.

Më 15 shkurt festohej një festë e quajtur “Lupercalia”. Gjatë kësaj feste, vajzat shkruanin emrin e tyre në një copë letre dhe e vendosnin në një enë. Çdo djalë zgjidhte një nga letrat dhe kështu përzgjidhte vajzën me të cilën do të kalonte festën. Shpesh, çiftet e krijuara gjatë kësaj feste përfundonin në një lidhje dashurie dhe më pas në martesë.

Në atë kohë, mbreti i Romës ishte Klaudio II. Burrat martoheshin, por nuk donin të linin gratë dhe familjet e tyre për të shkuar në luftë. Për këtë arsye, Klaudio II dha urdhër të ndaloheshin martesat dhe fejesat.

Valentini ishte kundër këtij urdhri. Së bashku me mikun e tij të ngushtë Mario, i cili më vonë u njoh si Shën Mario, ai ndihmoi shumë çifte të martoheshin fshehurazi. Kur kjo gjë u bë e ditur, Klaudio u zemërua shumë.

Mbreti urdhëroi arrestimin e Valentinit dhe dënimin e tij me vdekje. Ai u rrah me shkop derisa vdiq dhe më pas iu pre koka.

Kështu, 14 shkurti, në prag të festës “Lupercalia”, u kthye nga Kisha Katolike në festën e Shën Valentinit. Ajo ditë u shndërrua në festën e të Dashuruarve, pikërisht sepse Shën Valentini ndihmonte çiftet e dashuruara. Ndërsa dita pasuese, 15 shkurti, u quajt dita e beqarëve apo e të vetmuarve, ose Shën Faustini.

Për ata që nuk janë çift

15 shkurti, i njohur në disa vende si Dita e Beqarëve, është një ditë që i kushtohet atyre që nuk janë në çift, një mënyrë për të festuar pavarësinë, miqësinë dhe dashurinë për veten.

Në kulturën popullore, kjo datë shihet si kundërbalancë e festës së të dashuruarve: një kujtesë se lumturia nuk varet vetëm nga marrëdhëniet romantike, por edhe nga vetëvlerësimi dhe lidhjet e tjera të jetës.

Ekziston edhe një festë tjetër: Dita e Dashnorëve

Shën Valentini tradicional, me trëndafila të kuq, festohet më 14 shkurt për të gjitha çiftet që ndajnë të njëjtin shtrat, të njëjtat unaza apo të paktën të njëjtat plane për të ardhmen.

Ndërsa Shën Valentini i atyre që janë bashkë vetëm për momente kënaqësie dhe pa plane martese, festohet më 13 shkurt nga shumë çifte në vende të ndryshme të botës.

Data 13 shkurt në shumë vende njihet si “Dita e Dashnorëve”. Ndërkohë, 15 shkurti njihet si Shën Faustini, “Dita e të Vetmuarve”.

Për këtë arsye, më 13 shkurt jepej kjo këshillë: “Femra, nëse partneri juaj ju thotë sot se do të vonohet sepse i ka dalë një punë, mund të mos jetë e vërtetë. Ndoshta është me dikë tjetër. E njëjta gjë vlen edhe për ju meshkuj. Sot duhet të jeni të kujdesshëm, sepse është ‘Dita e Dashnorëve’.”

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit