Transmetuar më 14-02-2026, 23:05

Tiranë- Reshje intensive shiu dhe dëbore pritet të përfshijnë vendin gjatë 24 orëve në vijim, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për ulje të ndjeshme të temperaturave dhe krijim ngricash në disa zona.

Sipas parashikimit të publikuar nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), reshjet e dëborës do të përfshijnë kryesisht zonat verilindore, lindore dhe juglindore të territorit. Në të njëjtën kohë, në qarkun Shkodër priten reshje intensive.

Rrezik për transportin dhe zonat urbane

Reshjet, të shoqëruara me ulje temperaturash, mund të krijojnë vështirësi në qarkullimin rrugor, veçanërisht në zonat malore. Autoritetet paralajmërojnë për mundësi ngricash gjatë orëve të para të mëngjesit.

Po ashtu, për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve, ekziston rreziku i rënies së gurëve dhe inerteve, si dhe vërshime të ujit në zona urbane të lokalizuara, në varësi të kapaciteteve të kanalizimeve.

Qarqet që mund të preken përfshijnë Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Temperaturat

Sipas parashikimit, temperaturat minimale dhe maksimale pritet të jenë:

Në bregdet: 10 / 14 °C

Në zonat e ulëta: 9 / 14 °C

Në zonat malore: -1 / 10 °C

Reshjet intensive të shiut dhe dëborës kanë nisur që mbrëmjen e sotme në disa zona të vendit. Në segmentin malor të Qafë Thore, dy borëpastruese janë angazhuar për pastrimin e rrugës nga dëbora e rënë gjatë orëve të fundit.

Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në akset malore dhe zonat me rrezik ngricash.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit