

Shqipëria po përjeton një nga ritmet më të shpejta të plakjes së popullsisë në Europë, ndonëse vijon të renditet ndër vendet me moshë mesatare relativisht të re. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se raporti i varësisë së të moshuarve (65+ vjeç ndaj popullsisë 15–64 vjeç) është rritur nga 18.2% në vitin 2015 në 33.3% në vitin 2025.
Brenda një dekade, ky tregues është rritur me 15.1 pikë përqindje – rritja më e lartë ndër vendet e analizuara. Aktualisht, për çdo 100 persona në moshë pune në Shqipëri, ka mbi 33 të moshuar, krahasuar me 18 një dekadë më parë.
Afër mesatares së BE-së
Mesatarja e Bashkimi Evropian është rritur nga 29.0% në 34.5% gjatë së njëjtës periudhë (+5.5 pikë përqindje). Me 33.3%, Shqipëria ndodhet vetëm 1.2 pikë përqindje poshtë mesatares europiane, por me një ritëm rritjeje gati trefish më të shpejtë.
Rajoni dhe Europa
Në rajon, Maqedonia e Veriut ka shënuar një rritje prej 10.7 pikësh (deri në 28.7%), Serbia 8.7 pikë (36.2%), ndërsa Mali i Zi 6.4 pikë (26.6%). Edhe pse Serbia ka aktualisht raport më të lartë, dinamika e plakjes në Shqipëri është më e përshpejtuar.
Në Europë, pas Shqipërisë, rritjen më të fortë e ka shënuar Moldavia me +14.1 pikë përqindje, e ndjekur nga Polonia (+10.5). Në anën tjetër, vende si Luksemburgu (+1.5), Suedia (+2.3) dhe Austria (+3.5) kanë pasur rritje shumë më të moderuara.
Në vitin 2025, vendet me raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve janë Italia (39.0%), Bullgaria (38.7%), Portugalia (38.6%) dhe Finlanda (38.1%).
Shkaqet dhe pasojat
Ekspertët e lidhin këtë transformim të shpejtë demografik me emigracionin e lartë të popullsisë në moshë pune dhe rënien e lindshmërisë, tendencë e konfirmuar edhe nga të dhënat e publikuara së fundmi nga INSTAT.
Rritja e raportit të varësisë ka implikime të drejtpërdrejta për sistemin e pensioneve, tregun e punës dhe qëndrueshmërinë fiskale afatgjatë. Praktikisht, vendi po i afrohet një strukture demografike tipike për shtetet e plakura europiane, por me një tranzicion shumë më të shpejtë dhe me kapacitete ekonomike më të kufizuara për ta përballuar atë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






