

Itali – Një 46 vjeçar shqiptar humbi jetën në mënyrë dëshpëruese teksa përpiqej të largohej nga një banesë dhe dyshimet policore janë se po tentonte të kryente vjedhje atje.
Viktima është Arben Kristo, 46 vjeç, me banim në Lazip, Itali, raporton noa.al.
Burri dyshohet se humbi jetën gjatë përpjekjes për t’u larguar nga banesa, pas të shtënave me armë zjarri nga pronarët e shtëpisë.
Sipas informacioneve nga mediat italiane, 46-vjeçari Arben Kristo, rezident në Lazio, kishte hyrë në një banesë në Arezzo, së bashku me dy persona të tjerë. Pronarët i kanë pikasur dhe kanë qëlluar me armë zjarri në ajër, duke shkaktuar panik te autorët e dyshuar, të cilët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Gjatë arratisjes, 46-vjeçari dyshohet se është rrëzuar nga një lartësi rreth dy metra, duke pësuar një dëmtim të rëndë në këmbë. Sipas burimeve hetimore, plagët e marra kanë shkaktuar një hemorragji të fortë. Ai arriti të largohej rreth 20 metra nga vendi i ngjarjes përpara se të rrëzohej në tokë, ku më pas ndërroi jetë.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, përfshirë dinamikën e përdorimit të armës nga pronarët dhe shkaqet e sakta të vdekjes.
Forcat e Arma dei Carabinieri janë vënë në kërkim të dy personave të tjerë që dyshohet se ishin pjesë e grupit. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse në zonë ndodhej një automjet në pritje dhe nëse persona të tjerë mund të kenë qenë të përfshirë në ngjarje.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






