Transmetuar më 14-02-2026, 19:32

Elbasan – Një aksident rrugor është regjistruar këtë të shtunë në aksin Elbasan–Librazhd, në afërsi të fshatit Labinot Fushë.

Sipas informacioneve paraprake, një automjet ka humbur kontrollin dhe është përplasur me mbrojtëset anësore të rrugës. Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i mjetit ka pësuar dëmtime dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Deri në këto momente nuk bëhet e ditur gjendja e tij shëndetësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë kryer veprimet procedurale për dokumentimin e rrethanave të aksidentit, si dhe kanë ndërhyrë për normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.

Ky aks është përmendur shpesh nga drejtues mjetesh si problematik, për shkak të ndryshimeve të infrastrukturës dhe sinjalistikës së re, të cilat, sipas tyre, mund të krijojnë konfuzion dhe të bëhen burim incidentesh rrugore.

Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit