Transmetuar më 14-02-2026, 16:30

Eljon Metaj, 16 vjeç, është i riu shqiptar që humbi jetën në një aksident automobilistik të ndodhur në Athinë, Greqi.

Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së premtes, 13 shkurt, në rrugën “Dhimokratias”, në zonën Luca, në periferi të kryeqytetit grek. Si pasojë e aksidentit, dy adoleshentë të tjerë mbetën të plagosur dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Sipas informacioneve paraprake, njëri prej të miturve kishte marrë çelësat e automjetit të nënës së tij dhe, së bashku me dy shokët, kishte dalë për të qarkulluar në rrugët e zonës. Automjeti dyshohet se po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara.

Për shkaqe që ende mbeten nën hetim, makina ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë. Si pasojë e përplasjes, 16-vjeçari humbi jetën në vendngjarje, ndërsa drejtuesi i mjetit dhe një tjetër pasagjer u transportuan në spital.

Autoritetet greke kanë ndaluar drejtuesin e automjetit, i cili ndodhet nën mbikëqyrje mjekësore, si edhe prindërit e tij. Trupi i viktimës është dërguar në morg për veprime të mëtejshme.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit po kryhen nga policia rrugore e Drejtorisë së Policisë së Athinës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit