Transmetuar më 14-02-2026, 15:30

Dy punonjësve të rinj policie, raportohet të kenë gjetur në rrugë, diku afër Rinasit një çantë me 1 mijë euro dhe pasi e kanë kërkuar në Facebook, e kanë gjetur dhe ia kanë dhënë mbrapsht.

Historia zë fill mbrëmjen e djeshme. Klejdin Lleshaj (Qarkullimi Rrugor Lezhë) dhe Durim Xhakaj (Qarkullimi Rrugor Shkodër), rreth orës 22:30, në rrugën e Rinasit, duke u kthyer për në shtëpitë e tyre nga Tirana për në Lezhë e Shkodër, së bashku me familjarët e tyre, gjetën një çantë në rrugë me dokumente, një shumë parash dhe një celular, të një personi që ishte kthyer nga Italia.

Nëpërmjet pasaportës dhe rrjeteve sociale, ata bënë identifikimin dhe gjetjen e pronarit, si dhe kthimin e çantës me 1000 euro, dokumente dhe celularin 34-vjeçarit nga Kavaja.

Për këtë veprim, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda u ka dërguar një mesazh falënderimi për veprimin që e cilëson sa qytetar, aq edhe kuptimplotë, që nderon uniformën e Policisë së Shtetit dhe mishëron vlerat e integritetit, humanizmit dhe përgjegjësisë që qëndrojnë në themel të misionit tonë.

Këtë mesazh, Proda e ka shfrytëzuar edhe si mundësi për të kritikuar opozitën: "Pavarësisht se ishit civilë, jashtë orarit të shërbimit, me veprimin tuaj treguat integritet dhe dëshmuat edhe njëherë se mijëra djem e vajza, gra dhe burra që shërbejnë në radhët tona nuk janë ashtu siç tentojnë t’i përbaltin, por janë njerëz që sakrifikojnë me ndershmëri për ligjin dhe qytetarin". /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit