

Vijon zbardhja e vrasjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të 14 shkurtit në Montecalvoli, në provincën e Pizës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një i ri me origjinë shqiptare.
Viktima është Kevin Muharremi, 25 vjeç, me origjinë nga Shqipëria dhe banues në Fucecchio. Ai punonte në një autolavazh në këtë qytet dhe, sipas të dhënave paraprake, po kthehej në shtëpi pas një mbrëmjeje të kaluar në një lokal në zonën e Valderës.
Sipas rindërtimit fillestar të ngjarjes, gjatë mbrëmjes në pub kishte ndodhur një përplasje, e cila dyshohet se lidhet drejtpërdrejt me atentatin e mëvonshëm. Rreth orës 05:00 të mëngjesit, Muharremi po udhëtonte me një automjet tip Fiat Doblò të bardhë, i ulur në sediljen e pasagjerit. Në makinë ndodheshin edhe dy persona të tjerë: drejtuesi italian i mjetit dhe kushëriri i tij, i ulur në sediljen e pasme.
Në rrugën “Via della Repubblica”, shumë pranë një bari dhe selisë së Misericordia-s së Montecalvolit, një mjet tip SUV iu afrua makinës ku ndodhej 25-vjeçari. Nga ky automjet u qëlluan të paktën pesë plumba, tre prej të cilëve e goditën Muharremin. Plumbi fatal e ka kapur në zonën e qafës.
Banorët e zonës raportuan se dëgjuan disa të shtëna dhe më pas britma në rrugë, ku sipas dëshmive u dëgjua thirrja: “E vranë Kevin, e vranë Kevin”. Një prej banorëve zbriti menjëherë në rrugë dhe njoftoi shërbimet e emergjencës, ndërkohë që ndihma u kërkua edhe nga personat që ndodheshin në automjet me viktimën.
Në vendngjarje mbërritën karabinierët, prokurori Fabio Pelosi dhe shërbimet mjekësore. Pavarësisht përpjekjeve për ta reanimuar në rrugë, 25-vjeçari nuk arriti të mbijetojë. Dy personat e tjerë që ndodheshin në makinë mbetën të padëmtuar.
Hetimet po drejtohen nga prokurori Fabio Pelosi, ndërsa karabinierët e njësisë hetimore të San Miniatos po analizojnë kamerat e sigurisë në zonë, përfshirë sistemet e leximit të targave. Po merren në pyetje edhe disa dëshmitarë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët.
Ndërkohë, mësohet se nëna dhe motra e viktimës po kthehen nga Shqipëria drejt Italisë pas lajmit tragjik. Hetimet vijojnë për të sqaruar rolin e konfliktit të ndodhur më herët në lokal dhe për të përcaktuar përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






