

VELIPOJË, 14 SHKURT 2026 – Tensione dhe përplasje janë shënuar sot në zonën e Rrjollit, në Velipojë, ku banorët vijojnë kundërshtimin ndaj projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në këtë zonë bregdetare.
Pas protestës së zhvilluar më herët përpara Kuvendit dhe Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, banorët janë mbledhur sërish në terren për të penguar nisjen e punimeve.
Gjatë tubimit, situata është tensionuar kur protestuesit janë përpjekur të bllokojnë mjetet e firmës ndërtuese, duke u ulur në rrugë dhe duke ndaluar qarkullimin. Në përpjekje për të garantuar rendin dhe vijimin e punimeve, në zonë kanë ndërhyrë forcat e policisë, çka ka sjellë përplasje verbale dhe shtyrje mes palëve.
“Punëtorë ju punëtorë ne, me gjak ju me gjak ne”, janë shprehur disa prej protestuesve, ndërsa të tjerë kanë deklaruar se janë të vendosur të mos tërhiqen nga qëndrimi i tyre.
“Do të vdesim këtu për tokën tonë dhe të gjyshërve”, u shpreh një prej banorëve gjatë protestës.
Banorët pretendojnë se projekti cenon pronat dhe trashëgiminë e tyre familjare, ndërsa kërkojnë transparencë të plotë mbi procedurat ligjore dhe dokumentacionin e investimit.
Nga ana tjetër, deri më tani nuk ka një reagim zyrtar lidhur me pezullimin apo vijimin e punimeve. Situata në zonë mbetet e tensionuar, ndërsa banorët paralajmërojnë përshkallëzim të protestave nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






