Transmetuar më 13-02-2026, 22:37

Athinë – Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar në rrugën “Dhimokratias”, në zonën Luca, në periferi të Athinë, ku një 15-vjeçar ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Sipas raportimeve të mediave greke, një prej adoleshentëve dyshohet se ka marrë pa leje çelësat e automjetit të së ëmës dhe, së bashku me dy bashkëmoshatarë – mes tyre edhe një i mitur me origjinë shqiptare – kanë lëvizur me shpejtësi në rrugët e zonës.

Në rrethana që mbeten ende nën hetim, mjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë anësore. Përplasja ka qenë fatale për njërin prej pasagjerëve, 15 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Drejtuesi i automjetit dhe i mituri tjetër janë transportuar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

"Obobo. Çfarë bëra, çfarë bëra”, thërriste drejtuesi i mitur

Shok dhe dhimbje ka shkaktuar aksidenti rrugor i ndodhur pasditen e së premtes, më 13 shkurt, në zonën e Loutsës, në Greqi, ku një 15-vjeçar humbi jetën, ndërsa dy bashkëmoshatarë të tij mbetën të plagosur dhe u dërguan në spital.

Sipas informacioneve paraprake, në timonin e automjetit ndodhej një 15-vjeçar, i cili dyshohet se kishte marrë çelësat e makinës pa dijeninë e prindërve të tij. Ai kishte marrë me vete edhe dy shokë të mitur si pasagjerë.

Aksidenti fatal ndodhi në kryqëzimin e rrugëve “Dimokratias” dhe “Sotiros”, ku automjeti fillimisht u përplas me bordurën e trotuarit dhe më pas u përplas me forcë në një pemë. Si pasojë e përplasjes së fortë, xhami i përparmë i makinës u thye plotësisht.

15-vjeçari që ndodhej në sediljen e pasagjerit u hodh jashtë automjetit nga forca e përplasjes dhe humbi jetën në vend. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit dhe një pasagjer tjetër, të dy 15 vjeç, mbetën të plagosur dhe u transportuan me urgjencë në Spitalin e Fëmijëve “Aglaia Kyriakou”.

Sipas dëshmitarëve okularë, të cilët dolën nga banesat pasi dëgjuan zhurmën e fortë të përplasjes, drejtuesi i mitur i automjetit dëgjohej duke thirrur me dëshpërim: “Çfarë bëra, çfarë bëra”.

Të tre të miturit u transportuan nga ambulancat e shërbimit të urgjencës EKAV drejt spitalit, ku dy të plagosurit po i nënshtrohen ekzaminimeve të plota mjekësore. Mjekët po kryejnë analiza të detajuara, përfshirë skanerë dhe radiografi, për të konstatuar nëse kanë pësuar dëmtime kranio-cerebrale apo trauma të brendshme nga përplasja.

Pas ekzaminimeve, pritet që të dy të plagosurit të shtrohen në repartin e kirurgjisë për mbikëqyrje parandaluese, pasi ekziston shqetësim për goditje në kokë dhe komplikacione të mundshme.

Rrethanat e plota të aksidentit po hetohen nga autoritetet përkatëse, ndërsa ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka rikthyer shqetësimin për drejtimin e automjeteve nga të miturit.

Autoritetet greke kanë bërë të ditur se drejtuesi i mjetit është ndaluar në ambientet spitalore, ndërsa janë shoqëruar edhe prindërit e tij, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Trupi i viktimës është dërguar në morg për ekspertizë mjeko-ligjore.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e sakta të ngjarjes dhe përgjegjësitë përkatëse.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit