

Bashkimi Evropian rishqyrton fondet për Serbinë pas ndryshimeve në ligjet e drejtësisë
Bashkimi Evropian po rishqyrton mundësinë e pezullimit të 1.6 miliardë eurove në kredi dhe grante për Serbinë, pas miratimit të disa ndryshimeve ligjore në fushën e drejtësisë, të cilat – sipas Brukselit – cenojnë besimin në angazhimin e vendit ndaj sundimit të ligjit.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se këto zhvillime e bëjnë më të vështirë për institucionet evropiane të justifikojnë përparimin e Serbisë në procesin e integrimit. “Këto ndryshime po gërryejnë besimin dhe e vështirësojnë mbështetjen për Serbinë në Bruksel”, tha ajo për Reuters.
Sipas Kos, Komisioni Evropian po shqyrton financimin në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili synon përafrimin e vendeve të rajonit me standardet e BE-së dhe avancimin e tyre drejt anëtarësimit. Serbia përfiton nga ky plan me kredi dhe grante që shoqërohen me parakushte të qarta për sundimin e ligjit.
Këto zhvillime vijnë pak javë pasi Serbia bëri ndryshimet e denoncuara si kufizim të pavarësisë së gjyqësorit dhe institucioneve të tjera të drejtësisë në vend.
Këto ditë edhe kryeministri Edi Rama shpalli se do të bëjë ndërhyrje në legjislacion për të kufizuar hapësirat e prokurorisë dhe gjyqësorit që të ndërmarrë vendime pezullimi për zyrtarët e lartë të shtetit.
Serbia ka nisur negociatat zyrtare për anëtarësim në BE në vitin 2014, por progresi ka qenë i ngadaltë për shkak të korrupsionit të përhapur dhe dobësive institucionale. Ndryshimet e fundit në drejtësi parashikojnë kufizimin e mandateve të kryeprokurorëve publikë dhe zgjerimin e kompetencave të kryetarëve të gjykatave mbi gjyqtarët.
Kritikët paralajmërojnë se këto reforma mund të dëmtojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të rrezikojnë hetimet e korrupsionit të nivelit të lartë, përfshirë rastet nën mbikëqyrjen e Zyrës së Prokurorit Publik për Krimin e Organizuar. Nga ana tjetër, Ministria serbe e Drejtësisë mbron ligjet e reja, duke theksuar se ato synojnë rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e vendimmarrjes në sistemin gjyqësor.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






