Transmetuar më 13-02-2026, 18:33

Kukës – Operacioni “Start 2”: tre persona arrestohen me rreth gjysmë kilogrami kokainë

Policia e Kukësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Start 2”, pas një hetimi tre-mujor për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, nën drejtimin e Prokurorisë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Si rezultat i ndërhyrjes, u arrestuan në flagrancë tre shtetas:

A. I., 22 vjeç

E. K., 20 vjeç

H. E., 60 vjeç, banues në Kukës

Sipas Policisë, arrestimet u kryen në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit H. E., ku gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 459 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, si dhe 12.5 gramë kokainë e ndarë në doza gati për shitje, me një peshë totale prej 471.5 gramësh.

Hetimet paraprake tregojnë se këta shtetas dyshohet se ishin të përfshirë në aktivitetin e shitblerjes së lëndëve narkotike në zonën e Kukësit.

Policia bën me dije se puna vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme ligjore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit