

SERBIA- Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha për mediat serbe pas një takimi me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Turqisë janë kthyer në rrugët më të mira se vitet e mëparshme.
Ai u shpreh se aleanca ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës paraqet rrezik shumë më të madh për Serbinë. Kjo pasi ajo nuk është parashikuar për veprime mbrojtëse por për ato sulmuese.
“Ajo çka ne flasim, veçanërisht kur në takim janë shefat e shtabeve të përgjithshëm, ata nuk bisedojnë për blerje, armësh por për strategjinë dhe taktikat e veprimeve ushtarake dhe si të ecet në sulm, si të mbrohen, cilat janë drejtimet e mundshme ofensive e difensive. Ajo çka thonë se nuk është kërcënim, ndërsa bëhet fjalë për aleancë ushtarake dhe çdo aleancë e tillë është kërcënim që drejtohet kundër dikujt. Ky është kërcënim i madh për qytetarët e Serbisë dhe popullin serb në tërësi.
Shumë më i madh nga sa mund t’a shikojnë disa. Kam më shumë të dhëna informative dhe përditë i paralajmëroj haptazi qytetarët tanë. Këtë i kam thënë sot dhe Erdoganit, u’a them dhe të tjerëve. Me ankth të madh shikoj sesi ajo aleancë ushtarake po merr vrull të plotë, se si mbështetet Shota prishtinase si automjet luftarak, se disa do t’a blejnë të tjerët do t’a pajisin, erdhëm deri aty saqë kanë për të pasur stërvitje të përbashkëta ushtarake, analiza të armikut të supozuar” deklaroi Vuçiç.
Mediat shkruajnë se Vuçiç theksoi se Serbia po i forcon potencialet e saj me një shpejtësi të frikshme.
“Ne nuk do të sulmojmë askënd, që të bëjmë aleanca ushtarake jo e jo. Por po i forcojmë potencialet tona me një shpejtësi të frikshme. Në paradë nuk treguam gjithçka dhe ndërkohë kemi blerë akoma më shumë. Do të punojmë shpejt tek kjo që të mund të pengojmë potencialin e agresorit”, tha ai.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






