

TIRANË – Kryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi në një konferencë për media se protestat dhe revolta qytetare do të përfundojnë vetëm me rrëzimin e regjimit të Edi Rama dhe Belinda Ballukut.
Berisha akuzoi kryeministrin se kërkon “gjak me çdo kusht” dhe synon të përdorë efektivët e policisë si “mish për top”, duke e krahasuar situatën me ngjarjet e 21 janarit 2011.
Ai mohoi gjithashtu praninë e policëve të plagosur gjatë protestës opozitare të 10 shkurtit, duke theksuar se synimi i qytetarëve nuk është dhuna ndaj forcave të rendit, por kundërshtimi ndaj regjimit dhe snajperistëve që plagosën disa protestues dhe deputetë opozitarë, përfshirë Bledjon Nallbatin.
“Plagosën protestuesit tanë. Ata të tre mund të mos ishin sot. Njëri ka goditje në ball, tjetri në trup, mes tyre edhe një grua. Ai do me çdo kusht gjak (Rama). Vendosën snajperat. Policët e thjeshtë janë shumë më afër me protestuesit, sesa me organizatën kriminale të Ramës. Ndaj nuk kemi asnjë policë të plagosur. Problemi janë snajperët”, deklaroi Berisha.
Kreu i opozitës theksoi se qytetarët nuk shkojnë në sheshe për dhunë, por për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë. Ai vuri në dukje se fytyrat e Ramës dhe Ballukut u transmetuan në mediat ndërkombëtare më 10 shkurt dhe se revolta qytetare po forcohet.
Berisha paralajmëroi gjithashtu se opozita nuk do të ndalet derisa të rrëzojë kryeministrin, duke akuzuar Ramën për “vjedhje dhe vetëm firma” në dokumentet zyrtare:
“Ndaj Edi Rama, nuk ndalemi derisa t’i tregojmë vendin ne, sepse ka vetëm vjedhje, firma, firma, s’ka gjë tjetër ai…”, përfundoi Berisha.
Protesta e 20 shkurtit/ Berisha: Paqja është forca jonë! Rama do me çdo kusht gjak, por ne nuk i përgjigjemi
Protestën e 10 shkurtit ju e cilësuat si shënjuese në historinë e përpjekjeve të shqiptarëve në kryengritje me atë që e cilësoni regjim. Ndërkohë që paralajmëroni një tjetër protestë të fuqishme me datën 20 shkurt. Çfarë do ketë të veçantë kjo protestë? Dhe a do jetë më i fortë reagimi opozitar, më i ashpër? Si do të jetë qasja?
Sali Berisha: Edhe njëherë, për demokratët dhe opozitarët, paqja është forca. Nuk kërkojmë dhunë për forcë, përkundrazi.
Ne tmerrojmë. Ju e patë se ç’bëri Edi Rama, në pabesi dhe krim absolut, qëlloi protestuesit në kokë. Tre plumba. Ilir Tushi, Demë Dollapi, Luan Lleshi dhe një zonjë. Ajo në krah, këta të tre në kokë.
Që të tre ata mund të mos ishin sot.
Ai do me çdo kusht gjak, ne nuk i përgjigjemi.
Dhe u them protestuesve, mos konfondoni kriminelët që këta i kanë bërë snajper dhe i urdhërojnë të qëllojnë ndaj jush, me policët e thjeshtë.
Policët e thjeshtë janë absolutisht shumë më afër me protestuesit se sa me organizatën kriminale dhe anëtarët e saj dhe Edi Ramën.
Ndaj dhe ne… një polic të plagosur nuk ke parë. Lëre se ç’thonë ata. Asnjë polic të plagosur dhe as të gërvishtur. Jo.
Nuk shkojnë protestuesit aty për të qëlluar policët.
Nuk shkojnë aty për dhunë.
Shkojnë të gjithë me urrejtje kundër Edi Ramës dhe zyrës së tij.
Po, aty është përqendruar urrejtja dhe zemërimi popullor dhe ky përpiqet të përdorë policët si mish për top.
Siç i përdori qytetarët në vitin 2011.
Por kjo është tjetër lloj.
Është kryengritje paqësore kjo.
Jemi në fushëbetejë.
Do e fitojmë këtë luftë ne.
Ne, çdo betejë që kemi nisur, e kemi fituar.
Por jo luftën akoma.
Do fitojmë luftën.
Ju e keni parë jehonën më të jashtëzakonshme, më të rrufeshme protesta e 10 shkurtit, të gjitha rrjetet televizive të botës duke nxjerrë para ekraneve fytyrat e urryera të Belinda Ballukut dhe Edi Ramës.
I keni parë vetë në të katër anët.
Sigurisht Edi Rama, ua them qytetarëve, gjersa ne t’i tregojmë vendin në mënyrë përfundimtare, ai nuk ikën se ka tmerr sepse absolutisht në qindra firma, ka vetëm krim, vjedhje, vjedhje, krim.
Asgjë tjetër. Nuk ka ai. Ju e shihni vetë si është.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






