

TIRANË – Kryeinspektori i Përgjithshëm dhe ish-deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Dashnor Sula, shprehu vlerësimin maksimal për kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se vlerësimi i marrë prej tij është një moment që, sipas Sulës, nuk iu dha nga forca politike të cilës i përkiste për 20 vite.
Gjatë fjalës së tij, Sula theksoi se pranimi i detyrës së re përbën një sfidë personale dhe profesionale, duke nënvizuar se vendimi i tij lidhet me vlerësimin për vizionin e kryeministrit.
“Kam pranuar këtë sfidë sepse ju vlerësoj maksimalisht për vizionin. Ndoshta është e pamundur që një demokrat për 20 vite në politikë, në një llogore tjetër, që ju e thatë me të drejtë, kritikuar, gjuajtur me gurë, por diferenca qëndron në një moment thelbësor dhe nuk kam turp; aty ku unë kam kontribuar, kam dhënë për 20 vite, dhe garën e fundit të më hedhin në rrugë. Mora kurajon, konkurrova, dola i pari dhe u vlerësova. Kjo është diferencë”, u shpreh Sula.
Ai garantoi se do të ushtrojë detyrën me përkushtim dhe integritet, duke e cilësuar drejtësinë dhe profesionalizmin si parime të panegociueshme.
“Në radhë të parë do të kenë të gjithë përkushtimin tim. E dyta, ju garantoj për integritetin tim dhe të gjithë trupës që nuk pretendoj që gjithçka do të jetë mrekulli, por do të ketë një përmirësim të dukshëm. Drejtësi do të ketë dhe do të krijojmë një frymë pozitive”, deklaroi ai.
Sula vuri theksin edhe te procesi i digjitalizimit të sistemit dhe ndërtimi i një strukture funksionale, duke paralajmëruar verifikimin e çdo inspektori mbi bazën e kritereve ligjore dhe profesionale.
“Ajo sfidë që më keni hedhur, do ta përmbushim së bashku me të gjithë. Të jap fjalën e burrit”, përfundoi Kryeinspektori i Përgjithshëm.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






