

POGRADEc – Zhvillime të reja janë shënuar në hetimin për rastin e rëndë të abuzimit seksual ndaj një 12-vjeçareje në Pogradec, pasi analiza e ADN-së ka përputhur materialin gjenetik të fetusit me atë të të dyshuarit, 67-vjeçarit Rrushan Selko, i cili kishte njohje familjare me familjen e vajzës.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se rezultati i ekspertizës biologjike ka forcuar ndjeshëm bazën provuese ndaj të dyshuarit, duke e konsideruar atë një element kyç në dosjen hetimore.
Sipas informacioneve, e mitura ka dhënë dëshmi në prani të psikologut, në përputhje me procedurat për mbrojtjen e të miturve, duke treguar për kërcënime të vazhdueshme që, sipas saj, i janë bërë për të mos e bërë publike ngjarjen. Hetuesit kanë marrë në pyetje disa herë edhe familjarët, ndërsa po vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave.
Ngjarja u bë publike më 30 dhjetor, ndërsa hetimet nisën menjëherë pas konfirmimit të shtatzënisë së të miturës, e cila në atë kohë rezultoi rreth 22 javëshe.
Autoritetet kanë theksuar se çështja po trajtohet me prioritet maksimal, si për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ashtu edhe për garantimin e mbështetjes mjekësore dhe psikologjike për të miturën.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






