

Operacion policor në Korçë: Tre të arrestuar pas kontrolleve në një lokal në Zëmblak
Pronari i lokalit e shet, njëri e blen dhe tjetri e transporton, pfarë zbuloi policia për mallin e ndaluar që u gjet në Korçë (emrat dhe pamjet)
Policia e Korçës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Zëmblaku”, duke goditur një rast të dyshuar të shpërndarjes së lëndëve narkotike në ambientet e një lokali.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë tre shtetas: Andi Cenolli, 36 vjeç, banues në Korçë, Alfred Hoxhalli, 44 vjeç, banues në fshatin Zëmblak të Maliqit, dhe Pandeli Gjylapi, 34 vjeç, banues në Korçë.
Hetimet nisën pas informacioneve operative se në një bar-kafe në fshatin Zëmblak shitej lëndë narkotike. Gjatë kontrollit në lokalin në pronësi të 36-vjeçarit Andi Cenolli, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi të dyshuar kokaine, një shumë parash, një armë gjahu teke pa leje, tre aparate celularë dhe një DVR.
Kontrolle të mëtejshme u ushtruan edhe në automjetet e dy prej të arrestuarve, ku në mjetin e Alfred Hoxhallit dhe në atë të Andi Cenollit u gjet dhe u sekuestrua një sasi e dyshuar lënde narkotike Cannabis Sativa.
Sipas veprimeve hetimore, dyshohet se Pandeli Gjylapi kishte rolin e porositësit të lëndës narkotike, Alfred Hoxhalli atë të transportuesit, ndërsa pronari i lokalit, Andi Cenolli, dyshohet se do të kryente shitjen e saj.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa, një shumë monetare, një armë gjahu pa leje, dy automjete, tre celularë dhe një DVR.
Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






