

Gjykata e Apelit në Hania të Greqisë ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me burgim të përjetshëm një të burgosur me origjinë shqiptare për vrasjen e një të dënuari pakistanez.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 20 korrik 2019 në mjediset e burgut të Haniasë, kur një grup të burgosurish shqiptarë u përfshinë në një përleshje me një grup pakistanezësh brenda ambienteve të institucionit të vuajtjes së dënimit. Si pasojë e konfliktit, tre persona mbetën të plagosur.
Njëri prej tyre, me origjinë pakistaneze, u godit me një mjet prerës të improvizuar, duke marrë plagë të rënda. Ai u transportua në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Pas dy ditësh në terapi intensive, i plagosuri nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Hetimet dhe vendimi
Pas hetimeve të autoriteteve greke, katër të burgosur u arrestuan si të dyshuar për përfshirje në vrasje. Sipas dosjes hetimore, identifikimi i tyre u bë përmes pamjeve të kamerave të sigurisë së burgut.
Nga katër të pandehurit, vetëm njëri u shpall fajtor për vrasje nga Gjykata e Apelit me Juri të Përzier dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Ai gjendej në paraburgim që prej vitit 2019.
Tre të pandehurit e tjerë u shpallën të pafajshëm për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme, në zbatim të parimit juridik “në favor të të pandehurit”.
Një video tregon të katër personat që hyjnë dhe njëri prej tyre e plagos për vdekje me një objekt të mprehtë. Një person tjetër u plagos në përleshje dhe iu desh të shtrohej në spital. Megjithatë, gjykata vendosi se për tre të tjerët, nuk kishte prova të mjaftueshme për të çuar në dënimin e tyre.
Vendimi përmbyll një proces të gjatë gjyqësor për një nga incidentet më të rënda të dhunës të regjistruara në burgun e Hanias.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






