

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, ku një 58-vjeçar dyshohet se ka vrarë nënën e tij 86-vjeçare dhe më pas ka groposur trupin e saj në një zonë pyjore pranë Palazzina di Caccia në Stupinigi, në provincën e Torinos.
Sipas mediave italiane, krimi mendohet të ketë ndodhur disa muaj më parë, ndërsa zhdukja e të moshuarës ishte raportuar fillimisht nga fqinjët, të cilët kishin vënë re mungesën e saj të zgjatur.
Dëshmia e të dyshuarit
Pas raportimit të zhdukjes, policia italiane kontaktoi djalin e viktimës dhe e mori në pyetje në lidhje me fatin e së ëmës. Në deklarimet e para, 58-vjeçari pretendoi se ajo kishte ndërruar jetë për shkaqe natyrale.
Megjithatë, gjatë marrjes në pyetje, ai ndryshoi versionin dhe pranoi se kishte fshehur trupin. Sipas dëshmisë së tij para autoriteteve, ai ka deklaruar:
“E varrosa trupin e nënës sime. Mund ta gjeni pranë shtëpizës së gjuetisë në Stupinigi. Kisha frikë se mos humbisja pensionin.”
Pas rrëfimit, forcat e rendit kanë arritur të lokalizojnë vendin ku ishte groposur trupi.
Hetimet në vijim
Autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes, përfshirë motivin dhe marrëdhënien mes nënës dhe djalit. Një nga pistat kryesore lidhet me përfitimin e pensionit të viktimës.
Ndërkohë, autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes dhe kohën kur ajo ka ndodhur, duke ndihmuar në zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.
Hetimet vijojnë, ndërsa rasti ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik italian.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






