

Tragjedi familjare në Teksas: Babai qëllon për vdekje vajzën 23-vjeçare pas një debati politik
Një ngjarje e rëndë familjare është shënuar në Teksas të SHBA-së, ku një burrë dyshohet se ka qëlluar për vdekje vajzën e tij 23-vjeçare, pas një debati të ashpër që lidhej me presidentin amerikan Donald Trump.
Viktima, Lucy Harrison, ndodhej në shtëpinë e të atit, Chris Harrison, në qytetin Prosper të Teksasit, ku kishte shkuar për pushime së bashku me partnerin e saj. Çifti pritej të kthehej në Mbretërinë e Bashkuar më 10 janar 2025, ditën kur ndodhi edhe incidenti fatal. Sot, mediat amerikane publikuan këtë lajm.
Debati që përfundoi në tragjedi
Sipas dëshmive të përfshira në hetim që citon sot The Guardian, mëngjesin e asaj dite shpërtheu një debat i fortë mes babait dhe vajzës, i lidhur me Donald Trump, i cili pritej të betohej si president. Gjatë diskutimit, Lucy i kishte drejtuar babait pyetjen se si do të ndihej nëse ajo vetë do të ishte viktimë e një sulmi seksual.
Sipas dosjes hetimore, babai i saj dyshohet se ka reaguar duke thënë se kishte edhe dy vajza të tjera që jetonin me të dhe se një situatë e tillë “nuk do ta ndikonte aq shumë”.
Partneri i 23-vjeçares ka deklaruar se rreth gjysmë ore para nisjes për në aeroport, Lucy ndodhej në kuzhinë, kur i ati e kapi nga krahu dhe e çoi në dhomën e tij të gjumit në katin përdhes.
“Rreth 15 sekonda më vonë dëgjova një zhurmë të fortë dhe më pas Chris po thërriste gruan e tij, Heather”, ka dëshmuar ai. Kur hyri në dhomë, Lucy ishte shtrirë në dysheme pranë banjës, ndërsa babai i saj bërtiste dhe fliste në mënyrë të pakuptueshme.
“Ishte një forcë jete”
Nëna e vajzës, Jane Coates, e përshkroi të bijën si një person plot energji dhe ndjeshmëri.
“Ajo kujdesej për të tjerët. Ishte e apasionuar pas asaj që besonte. I pëlqente të diskutonte dhe të përfshihej në debate të forta për çështje që kishin rëndësi për të”, u shpreh ajo.
Autoritetet amerikane vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






