

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke bërë të ditur se nuk do të garojë më për këtë pozitë në zgjedhjet e ardhshme të brendshme të partisë.
Vendimi u bë publik gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, ku Haradinaj shpjegoi se largimi nga drejtimi i partisë vjen për disa arsye, ndër to edhe rezultati zgjedhor, koha e gjatë në krye të Aleancës, si dhe besimi që ka në kuadrot e partisë.
“Procesi zgjedhor fillon më 20 shkurt. Është një risi dhe ndryshim, sepse nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës në këto zgjedhje të brendshme. Një arsye është koha e gjatë, arsyeja e dytë është rezultati zgjedhor, si dhe besimi që kam në kuadrin e Aleancës”, u shpreh Haradinaj.
Ai gjithashtu mohoi zërat se po përgatitet të kandidojë për president të Kosovës, duke theksuar se nuk ka një ambicie të tillë në këtë moment.
“Nuk jam kandidat për president të vendit. Nëse në ndonjë rrethanë të caktuar deputetët apo Kuvendi do ta kërkonin, do ta shqyrtoja, por aktualisht nuk jam kandidat. Ende nuk kemi një qëndrim për mënyrën se si do të veprojmë lidhur me çështjen e presidentit dhe kjo do të diskutohet”, deklaroi Haradinaj.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






