Transmetuar më 12-02-2026, 19:03

Tiranë- Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka nxjerrë një deklaratë të përbashkët në formë rezolute, duke shprehur shqetësim për kërkesën përfundimtare të Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Në dokument, Parlamenti shqiptar thekson se UÇK-ja ishte një lëvizje legjitime çlirimtare, që luftoi për liri, dinjitet dhe vetëvendosje të popullit të Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Kuvendi shpreh shqetësimin se kërkesa e Hagës mund të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë, duke barazuar luftën e UÇK-së me krimet e regjimit të Millosheviçit.

Deklarata e Kuvendit përcakton disa pika kryesore:

-Mbështetje e plotë dhe e pakushtëzuar për drejtuesit e UÇK-së, të cilët sipas Kuvendit përfaqësojnë aspiratat e drejta të popullit të Kosovës.

-Kërkesë ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë dhe institucioneve ndërkombëtare që të garantojnë një proces të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar dinjitetin e luftës çlirimtare.

-Theksim se lufta e UÇK-së ndodhi përballë spastrimet etnik dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera nga regjimi serb, dhe se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konfirmoi legjitimitetin e saj.

-Vlerësim i lartë për dëshmitarët ndërkombëtarë të mbrojtjes, si Wesley Clark dhe James Rubin, që konfirmuan të drejtën e popullit të Kosovës për liri.

-Solidaritet me popullin e Kosovës dhe familjet e drejtuesve të UÇK-së, duke ritheksuar një qëndrim të bashkuar të kombit shqiptar në mbrojtje të së vërtetës historike.

Angazhim për të ndërmarrë çdo hap diplomatik dhe politik në forumet ndërkombëtare për të siguruar respektimin e së vërtetës historike dhe drejtësisë.

Kuvendi i Shqipërisë gjithashtu ka ftuar institucionet shqiptare, ato të Kosovës dhe diasporën të qëndrojnë të bashkuara në mbrojtje të së vërtetës dhe drejtësisë për popullin e Kosovës dhe drejtuesit e UÇK-së.

Deklarata i është dërguar Dhomave të Specializuara në Hagë, Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Parlamentit Evropian, Asambleve Parlamentare të NATO-s, OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe qeverive mike dhe partnere.

Deklarata e përbashkët e plotë:

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në ushtrimin e kompetencave të veta kushtetuese dhe në përmbushje të rolit të vet si përfaqësues i vullnetit të popullit shqiptar, shpreh shqetësimin e thellë për kërkesën përfundimtare të Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Kuvendi i Shqipërisë, duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, rithekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat themelore të njeriut, për liri, dinjitet dhe vetëvendosje të popullit të Kosovës, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Kuvendi vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb të Millosheviçit, i cili kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës.

Për këtë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë deklaron:

1.Mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ishin dhe mbeten përfaqësues të aspiratave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Lufta e tyre ishte luftë e drejtë, e mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut.

2.Kërkesën drejtuar Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm, që respekton dhe nuk cënon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, duke mos lejuar që instrumentet e drejtësisë të shndërrohen në mjete për rishkrimin e historisë apo për barazimin e viktimës me agresorin.

3.Kujtimin ndaj bashkësisë ndërkombëtare se lufta e UÇK-së u zhvillua në kushtet kur regjimi i Millosheviçit po kryente spastrim etnik, krime sistematike kundër njerëzimit dhe akte genocidiale ndaj popullatës civile të Kosovës, dhe se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konfirmoi legjitimitetin e asaj lufte dhe natyrën kriminale të regjimit të Millosheviçit.

4.Vlerësimin e lartë për dëshmitarët ndërkombëtarë të mbrojtjes, si Ëesley Clark e James Rubin, të cilët konfirmuan të drejtën e popullit të Kosovës dhe udhëheqësve të tyre për liri.

5.Solidaritetin e plotë me popullin e Kosovës dhe me familjet e drejtuesve të UÇK-së, duke ritheksuar se kombi shqiptar qëndron i bashkuar në mbrojtjen e të vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës për liri.

6.Angazhimin për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm diplomatik dhe politik në forume ndërkombëtare për të siguruar që e vërteta historike mbi luftën çlirimtare të Kosovës të mos cënohet dhe që drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë u bën thirrje institucioneve të shtetit Shqiptar, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe diasporës shqiptare që të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtjen e së vërtetës, dinjitetit dhe drejtësisë për popullin e Kosovës dhe për drejtuesit e luftës së tyre çlirimtare, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë u rekomandon qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës të bashkëpunojnë dhe koordinojnë për denoncimin ndërkombëtar të krimeve serbe.

Kjo deklaratë pasqyron vullnetin unanim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe i transmetohet Dhomave të Specializuara në Hagë, Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Parlamentit Evropian, Asambleve Parlamentare të NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, si dhe të gjitha qeverive mike dhe partnere.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit