

Plisi i bardhë, kapelja tradicionale që ka shoqëruar breza shqiptarësh, po përpiqet të bëhet pjesë e listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Një peticion online, i nisur nga qytetarë të ndryshëm, kërkon nga UNESCO që ky simbol i identitetit kombëtar të njohë zyrtarisht vlerën e tij.
Ky artefakt prej leshi të bardhë, i punuar me dorë, nuk shihet vetëm si pjesë e veshjes, por si një element i fortë i historisë dhe kulturës shqiptare. Nëpër trevat shqiptare, plisi njihet me emra të ndryshëm, si qeleshe, kësulë apo qylaf, por në çdo variant ai përfaqëson të njëjtin simbol: lidhjen me traditën dhe me rrënjët kombëtare.
Përfaqësues të komuniteteve dhe qytetarë të thjeshtë argumentojnë se nisma synon të parandalojë zhdukjen e këtij simboli në një epokë ku globalizimi po shkrin identitetet e veçanta. Sipas tyre, njohja nga UNESCO do të ndihmonte në ruajtjen e teknikave të rralla të punimit dhe do t’i jepte një nxitje të re turizmit kulturor në Shqipëri.
Përveç vlerës simbolike, përfshirja e plisë në listën e UNESCO-s mund të ofrojë edhe mbështetje më të madhe për komunitetet që e ruajnë dhe e prodhojnë këtë kapelë, duke siguruar që artizanati të mbetet i gjallë dhe i transmetueshëm brez pas brezi.
Deri më tani, peticioni ka arritur rreth 8 mijë firma, ndërsa numri vazhdon të rritet, pasi iniciativa ka ngjallur interes të gjerë në publik. Organizatorët thonë se çdo firmë është një mesazh se kultura dhe tradita shqiptare duhet të mbeten të pranishme dhe të vlerësuara edhe në arenën ndërkombëtare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






