Transmetuar më 12-02-2026, 15:47

Momente dramatike janë regjistruar këtë të enjte në Kuçovë, ku 40-vjeçarja Elona Bregu, punonjëse e pastrimit, tentoi t’i japë fund jetës duke u ngjitur në majë të kullës së oksigjenit pranë ish-Uzinës së qytetit. Ajo pretendon se është pushuar nga puna pasi kërkoi pagat e prapambetura prej rreth dy muajsh e gjysmë.

Sipas deklarimeve të saj, kompania “Viola Green”, e cila kryen shërbimin e pastrimit, e ka larguar nga puna pas kërkesës për pagesën e vonuar. “Më hoqi pse kërkova rrogën. Kishim dy muaj e gjysmë pa marrë. Tani nuk e di, do shkojmë në bashki te kryetari,” u shpreh ajo pasi zbriti nga kulla.

Pas negociatave me policinë vendore dhe përfaqësues të bashkisë, të cilët i premtuan se çështja do të shqyrtohet dhe se do të rikthehet në punë, 40-vjeçarja pranoi të zbresë, duke shmangur një ngjarje tragjike. Më pas ajo u shoqërua nga efektivët për procedurat standarde.

Edhe punonjëse të tjera të shkarkuara nga e njëjta kompani janë shprehur se nuk kanë marrë pagat prej disa muajsh, duke e cilësuar situatën si të papranueshme. Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te problematika e vonesave të pagave dhe marrëdhëniet e punës në sektorin e shërbimeve publike.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit