

Policia e Shtetit bëri të ditur sot se ka arrestuar në Tiranë gazetarin Elio Laze të cilin e akuzon për gjobëvënie.
Laze, drejtues i një portali lajmesh, u arrestua nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Pronës në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në kuadër të operacionit të koduar “Portali 1”.
Sipas policisë, 37 vjeçari Laze u arrestua pasi shantazhoi një punonjës të administratës publike, për t’i marrë 5000 euro, që të fshinte nga portali që administronte, disa shkrime që kishte postuar për të.
Bëhet fjalë për Klaus Shaqiri, inspektor i ISHP Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë.
Policia e Shtetit publikoi dhe këto pamje nga arrestimi i të riut i cili më parë kishte dhe një precedent për armëmbajtje pa leje:
Në këtë aksion u sekuestrua shuma e eurove dhe 4 celularë.
"Shërbimet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe ato të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një punonjësi të administratës publike, se ishte shantazhuar nga administratori i një portali, finalizuan operacionin e koduar “Portali 1”, thuhet në komunikatën e policisë.
Ndërsa shton: "Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u kap në zyrën e subjektit, në Tiranë, menjëherë pasi mori 5000 euro nga i dëmtuari, dhe u vu në pranga shtetasi Elio Laze, 37 vjeç.
Ai dyshohet se nëpërmjet shantazhit, i ka marrë punonjësit të administratës publike, shumën e eurove, për të fshirë nga portali që administronte, disa shkrime që kishte postuar për të, në kohë të ndryshme.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”.
Reagimi nga portali i Lazes
Lidhur me ngjarjen, portali i Lazes, Priza, thotë se Klaus Shaqiri menaxhon disa celula call centerash në Tiranë.
"Klaus Shaqiri, përmes kompanisë “Finantex”, komandon disa celula call centerash në Tiranë, duke qarkulluar miliona euro. Shaqiri dyshohet se është prestanome i deputetit të zgjedhur të PD-së, Belind Këlliçi", thuhet në një deklaratë të Priza.
Për këtë ngjarje ka dalë me një komunikatë edhe Prokuroria e Përgjithshme:
Vendoste gjoba 20-40 mijë euro duke kërcënuar me shkrime denigruese, hetimet e Prokurorisë Tiranë çojnë në arrestimin e shtetasit E.L., administrator i Priza.al
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.627, të vitit 2026, për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Shtrëngimi me anë kanosjes ose dhunës për dhënien pasurisë” parashikuar nga neni 109/b dhe 143/3 të Kodit Penal, të cilat çuan në arrestimin e shtetasit E.L., administrator i portalit priza.al.
Regjistrimi i procedimit penal u realizua mbi bazën e akteve të referuara nga Departamentit Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit Tiranë, pasi në datë 23.01.2026 shtetasi K.Sh, denoncoi për një problematikë që ka pasur me portalin Priza.al, ku sipas tij publikoheshin shkrime denigruese, kërcënuese dhe shipëfse kundër tij.
Në vitin 2024 ky portal publikoi ndër të tjera se shtetasi K.Sh. është personi që pastron paratë e miqve dhe shokëve të tij përfshirë dhe shtetasin B.K. Pas kontakteve që denoncuesi pati me të, i tha se nuk ka asgjë personale, por kërkoi shumën 40.000 mijë euro që mos shkruante apo shpifte më për të në portal dhe rrjetin tij miqësor.
E njëjta situatë ndodhi edhe disa ditë më parë ku me anë të një kushëriri tij, shtetasi E. L., kërkoi takim me shtetasin K.Sh., duke i thënë që nëse nuk paguante 20 mijë euro ai do të vijonte me shkrimet dengiruese. Pasi nuk pranoi për pagesë, një shkrim u botua në Priza.al, pikërisht me përmbajtjen për të cilën E.L. para disa ditësh kishte paralajmëruar se do ta botonte nëse nuk do të jepej shuma e kërkuar prej 20 mijë euro.
Sa më sipër, ka dyshime se në rastin konkret, kërkohet që me anë mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit nga një portal mediatik duke paraqitur fakte që nuk janë vërteta t’i rrëmbehet të dëmtuarit dhe përvetësohet nga pasuria tij një shumë prej 20.000 mijë euro dhe nëse nuk paguhej kjo shumë sipas kallëzuesit denigrimi dhe gënjeshtrat kundër tij dhe personave përfshirë në të do të vazhdojnë.
Gjatë hetimeve, ku u përdorën metoda speciale në bashkëpunim me Drejtorinë Përgjithshme Policisë Shtetit, u arrestua në flagrancë datë 12.02.2026 shtetasi E. L. duke marrë një shumë prej 5 mijë eurosh.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






