

TIRANË, 12 shkurt 2026, ora 13:07 – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi këtë të enjte se regjistrimet audio që, sipas tij, janë kryer nga Ergys Agasi në zyrën e këtij të fundit, përmbajnë prova për “krime monstruoze” dhe “porosi vrasjesh”.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha u shpreh se materiali i përmendur përfshin regjistrime ku, sipas tij, përmenden ministra, gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të lartë.
“Çfarë dimë për AKSHI-n, për Mirlindën e AKSHI-t, Lindën e Surrelit, për baxhon e Ramës, Armand Frangun, është vetëm maja e ajsbergut. Falë deponimeve tronditëse të Geron Meçes dhe të tjerëve të penduar, si dhe fonotekës së Ergys Agasit, janë zbuluar krime monstruoze. Aty janë të regjistruar ministra, gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të lartë. Janë kryer vrasje me porosi, gjithçka në funksion të pasurimit dhe përfitimit të zgjedhjeve nga Edi Rama,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se disponon informacione të tjera, por nuk mund të bëjë publike detaje të mëtejshme për të mos devijuar, sipas tij, diskursin publik.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga personat apo institucionet e përmendura në deklaratë. Nuk ka gjithashtu konfirmim nga organet e drejtësisë lidhur me ekzistencën apo përmbajtjen e regjistrimeve të përmendura.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






